Incidenti në Mamushë, një i plagosur e disa të lënduar, arrestohen nëntë persona
Rreth 15 persona janë përleshur mes vete në Mamushë.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Gashi dha detaje për IndeksOnline, ku tregoj se rasti po cilësohet si ‘Tentim Vrasje’ dhe nga kjo përleshje kanë mbetur të lënduar 4 persona, ku njëri prej tyre ka marrë lëndime të rënda dhe po trajtohet në QKUK.
Gashi tha se lidhur me rastin janë ndaluar nëntë persona për 48 orë.
Në këtë rrahje janë përdorur armë zjarri, mjete të mprehta si dhe një shufër metalike.
‘’Policia në Prizren së bashku me Prokurorinë e Shtetit ka zhvilluar hetimet dhe është duke e trajtuar rastin si ‘Tentim Vrasje’.
Në këtë rrahje janë të përfshirë 15 persona, ku dyshohet se janë përdorur një armë zjarri, mjete të mprehta si dhe është gjet edhe një shufër metalike. Më urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 9 persona për 48 orë, ndërsa në Spitalin Rajonal të Prizrenit janë duke u trajtuar 3 persona kurse një person është duke u trajtuar në QKUK, pasi ka pësuar lëndime të rënda për shkak se është i plagosur me armë zjarri.
Krejt kjo përleshje ka ndodhur diku rreth orës 01:16, pas mesnatës, në vendin e ngjarjes kanë dal menjëherë policia, ekipi i forenzikës, hetuesit dhe të gjitha veprimet me këtë rast janë në koordinim me Prokurorin e Shtetit’’, tha për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.