18-02-2026

​Inflacioni arrin 5.8%, ja cilat produkte dhe shërbime u shtrenjtuan më së shumti

Viti 2026 ka nisur me rritje të ndjeshme të çmimeve në Kosovë. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) shënoi një rritje vjetore prej 5,8% në janar 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vetëm brenda një muaji çmimet u rritën për 1,2%, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Biletat e fluturimit dhe shërbimet e banimit me rritjen më të madhe

Agjencia e Statistikave të Kosovës bën të ditur se rritja më e theksuar vjetore është regjistruar te biletat e fluturimeve, të cilat janë shtrenjtuar për 50,4%, duke ndikuar ndjeshëm në buxhetin e qytetarëve. Po ashtu, rritje të madhe kanë pësuar edhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin (44,4%), si dhe energjia elektrike (16,7%).

“Shtrenjtim të konsiderueshëm kanë pësuar edhe: Lëndët djegëse të ngurta (17,2%), pemët (15,5%), mishi (13,1%), produktet e qumështit, djathit dhe vezëve (8,7%), shërbimet hoteliere (8,6%), kafeja, çaj dhe kakao (10,3%)”, thuhet në njoftimin ASK-së.

Në përgjithësi, këto grupe kanë dhënë një ndikim të përbashkët prej 6,2% në inflacionin total.

Shtrenjtime edhe brenda muajit

Krahasuar me dhjetorin 2025, çmimet në janar janë rritur për 1,2%. Sërish, biletat e avionit (42,1%) dhe shërbimet e banimit (41,4%) kryesojnë listën e shtrenjtimit mujor. Rritje janë shënuar edhe te perimet (4,2%), energji elektrike (1,5%) dhe mishi (0,7%).

Ndryshe nga shumica e produkteve dhe shërbimeve, karburantet dhe lubrifikantët për transport personal kanë pësuar rënie prej 7,3% në baza vjetore dhe 3,4% në baza mujore, duke zbutur pjesërisht presionin inflacionist.

Asnjë koment

Comments are closed.