26-11-2024

Inflacioni vazhdon ta godasë Kosovën, rritet çmimi i mallrave në bujqësi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar indeksin e çmimeve të inputeve në bujqësi për tremujorin e tretë të këtij viti, ku theksohet se indeksi i mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, ka rritje për 27.9%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet në bujqësi, ka rritje për 10.4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.

ASK sqaron se grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion.

“Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK. Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit Input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Kurse, sa i përket Input 2, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës). Në tremujorin e tretë (TM3) 2022, indeksi i Input 1 ka rritje për 27.9%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i Input 2 ka rritje për 10.4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i inputeve 1 dhe 2, ka rritje për 19.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Asnjë koment

Comments are closed.