Inspektohet furra që furnizon me kifle nxënësit e Malishevës
Të prirë nga drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, sot në orët e para të mëngjesit, inspektorët e Komunës së Malishevës, kanë inspektuar furrën e bukës “MELI-ek”, e cila furnizon shkollat me kifle.
Gjatë këtij inspektimi është vërejtur se pastërtia në ambientet e furrës, e deri në shpërndarjen e kifleve, është në nivelin e duhur.
“Kjo furrë bën furnizimin e shkollave me kifle, për nxënësit nga klasat parafillor, deri në klasat e pesta, andaj këtë furrë, sikur edhe furrat tjera, ne e mbikëqyrim në vazhdimësi. Gjatë inspektimit, inspektorët komunal, kanë konstatuar se pastërtia është në nivelin e duhur, e po ashtu edhe cilësia e prodhimeve”, tha drejtori Kastrati.
“Të gjitha furrat dhe të gjitha ndërmarrjet që merren me prodhime ushqimore dhe shërbyese, do të jenë në mbikëqyrje të vazhdueshme, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të banorëve të Komunës së Malishevës”, ka deklaruar Kastrati.
Inspektorati i Komunës së Malishevës, gjithashtu kanë vizituar edhe disa nga shkollat, për t’u njoftuar nga nxënësit, nëse ata janë të kënaqur me kiflet që ju shërbehen.
Përndryshe Komuna e Malishevës, në vazhdimësi furnizon shkollat me kifle, për të gjithë nxënësit nga klasat parashkollore deri në klasat e pesta.