23-11-2024

Inspektoratet paralajmërojnë heqjen e reklamave nga kulmet në Qendrën Historike të Prizrenit

Inspektoratet në Prizren kanë paralajmëruar gjatë kësaj jave një aksion për heqjen e reklamave, sidomos të atyre mbi kulme të lokaleve hoteliere, që ndodhen në zonën që i përket Qendrës Historike të Prizrenit (QHP), shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas inspektoratit, shumica e reklamave të vendosura në QHP janë në shpërputhje me Ligjin për këtë qendër dhe Vendimin mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në qytetin e Prizrenit.

Marrë parasysh këtë fakt, Drejtoria e Inspektorateve, ka njoftuar se me 13 nëntor 2018 i ka paralajmëruar të gjithë pronarët e objekteve që bien ndesh me këtë ligj apo vendim, që t’i heqin ato reklama me vetiniciativë.

Në kumtesën e Inspektoratit, thuhet se këtu janë të përfshira kryesisht reklamat e vendosura mbi kulm të objekteve, ndërsa ato që janë të vendosura në ballinë të objektit, obligohen të pajisen me leje nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Përkundër kësaj, disa nga pronarët e objekteve, në veçanti pronarët e objekteve hoteliere brenda Qendrës Historike të Prizrenit, nuk e kanë respektuar paralajmërimin e Inspektoratit dhe nuk i kanë larguar reklamat e tyre brenda afatit të dhënë kohor.

Me këtë rast, Drejtoria e Inspektoratit ka deklaruar se për këtë obligohet ta ekzekutojë Vendimin Komunal për Rregullimin e Qytetit dhe të Shërbimeve Komunale, si dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke filluar brenda kësaj jave me aksion për heqjen e reklamave, me prioritet të veprimit sidomos për heqjen e reklamave mbi kulm./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.