Inspektorati i Prizrenit sërish ndalon punimet në një pjesë të qendrës tregtare “ABI Çarshia”
Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit rishtazi ka urdhëruar ndalimin e punimeve në njërën pjesë të qendrës tregtare “ABI Çarshia”, shkruan sot Koha Ditore.
Zyrtarët e kësaj drejtorie kanë vendosur shirita për ndalimin e punimeve, me arsyetimin se ato po realizohen në mënyrë të kundërligjshme.
Drejtori i Inspektorateve, Islam Thaqi, duke pohuar vendosjen e shiritave për ndalim të punimeve gjatë javës, ka shtuar se lidhur me këtë rast janë shqiptuar 3 gjoba mandatore dhe se është nxjerrë aktvendimi për ndalimin e punimeve.