Inspektorati Sanitar i AUV urdhëroi dezinfektimin e lagjes rome “Terzimahall” në Prizren
Si masë për parandalimin e përhapjes se sëmundjes COVID19, Inspektorati Sanitar i AUV-së, Zyra Regjionale Prizren, bashkë me deputetin përfaqësues të komunitetit Rom Albert Kinolli, sot monitoruan dezinfektimin e rrugëve dhe oborreve të kësaj lagje.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi ka thënë për Express se dezinfektimi i këtyre hapësirave po bëhet pasi në këtë lagje është një rast pozitiv me koronavirus.
“Pasi që brenda kësaj lagjeje është një rast pozitiv me COVID-19 , lëvizja e tyre dalja e shpeshtë në rrugë dhe lëvizjet brenda lagjes janë vlerësuar se paraqesin rrezik për situatën. Si masë me e mirë për momentin është paraparë dezinfektimi më i shpeshtë i këtyre hapësirave. Këtë radhë kompania e specializuar për dezinfektime Zona Park, ofroi mbështetjen pa pagesë si pjesë e fushatës se tyre humanitarë për luftimin e sëmundjes COVID 19. Të cilët kanë kryer dezinfektime edhe brenda në shtëpitë e rasteve të personave të prekur me COVID 19”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka theksuar se lagja dhe komuniteti janë duke u mbajtur në vëzhgim të vazhdueshëm nga përfaqësuesi i tyre dhe Inspektorati Sanitar.
“Për një familje është lëshuar vendimi për izolim. Janë duke u informuar nga afër mbi masat dhe vendimet qeveritare që duhen respektuar dhe mjetet që duhet përdorur për luftimin e sëmundjes. Ne si AUV do të veprojmë dhe mbështesim pa dallime. Luftimi i sëmundjes sot ka marrë përmasa globale dhe duhet të përfshihen të gjithë. Respektimi i masave është në të mirën e të gjithëve”, ka theksuar Thaçi.