Inspektori në Prizren deklarohet i pafajshëm për mos rrënim të objekteve me tejkalim lejesh
Pak ditë pasi e kishte mohuar fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhemdin Musliu, është deklaruar i pafajshëm edhe në një rast tjetër, në të cilin gjithashtu akuzohet për vepër të njëjtë penale.
Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Musliu, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se ai nuk e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që i akuzuari e ka mohuar fajësinë, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, derisa shqyrtimin e dytë gjyqësor e ka caktuar më 15 korrik 2019, në ora 09:30.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se në periudhën kohore 2016-201ë në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje në lagjen “Jeta e Re”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2 .
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu akuzohet edhe në një rast tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ku në seancën fillestare të mbajtur më 26 prill 2019, ai ishte deklaruar i pafajshëm. /Betimipërdrejtësi