15-05-2025

Internati “Kosova” i Krumës, një histori që po zhduket

Nga Zenun Çelaj*

Qyteti i Krumës në Has, pak kilometra përtej Qafës së Prushit, pikëkalimit kufitar midis Kosovës e Shqipërisë, i mbetur nga kohë të shkuara e të rënda, ende ruan gjurmë të rëndësishme për historinë e përpjekjeve për mbijetesë kombëtare. Ndër to është Konvikti “Kosova” në Krumë , që strehoi qindra nxënës nga Kosova, të cilët këtu gjetën shkollën më të afërme për të marrë dije. Fatkeqësisht, ato gjurmë jo vetëm po zbehen, por edhe po zhduken, bashkë me domethënien e tyre për historinë e arsimit dhe gjithë historinë nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë shekullit të fundit.

Të kujtojmë se zhvillimet që pasuan shpërbërjen e Perandorisë Osmane, e cila mbante nën pushtim tokat shqiptare, do të sillnin tragjedi të reja për kombin dhe Shqipërinë. Trojet e saj do të copëtoheshin mes fqinjëve, që deri atëherë kishin qenë bashkëvuajtës të shqiptarëve. Mali i Zi, Serbia (me Maqedoninë brenda) e Greqia do të merrnin “pjesën e Luanit” – Kosovën, Maqedoninë Perëndimore me qytetet Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Dibër e Ohër, Çamërinë, pastaj Luginën e Preshevës, Sanxhakun me Plavë e Gucinë, Malësinë e Madhe dhe Ulqinin.

Fatbardhësisht u krijua një bërthamë e shtetit shqiptar, një Shqipëri në miniaturë, që do të ushqente shpresat e do të mbante gjallë shpirtin kombëtar ndër dekada deri në ditët e sotshme, kur flasim për dy shtete shqiptare, që synojnë bashkimin, dhe territore të mëdha jashtë me numër të madh shqiptarësh në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi e Greqi.

Historia na rrëfen se në pjesët e mbetura jashtë asnjëherë nuk u shuan përpjekjet për mbijetesë kombëtare, qoftë edhe me sakrifica, ndërsa nuk munguan as përpjekjet nga brenda shtetit të ri shqiptar që t’u dilet në ndihmë aspiratave të tyre. Në këso rrethanash fillimisht në Golaj, që pastaj do të zhvendosej në Krumë të Hasit, u hap shkolla dhe Konvikti “Kosova”, ku do të shkolloheshin nxënës nga Kosova, të cilët më vonë do të bëheshin prijatarë të përhapjes së arsimit shqip në Kosovën e okupuar, por më vonë edhe të ideve çlirimtare në të.

Do të ishin Hasan Prishtina e Bajram Curri ata që do të ngulmonin që kosovarëve t’u afrohej shkolla sa më afër, ndërsa Niman Ferizi, intelektual e revolucionar nga Gjakova, do t’i jepte jetë idesë së tyre.Këtyre përpjekjeve do t’u printe hapja e shkollës shqipe “Skenderbeg” në Gjakovë (1915-1916). Por, vetëm kaq. Atë s’do ta linte gjatë pushtuesi i ri sllav, prandaj ata që lakmonin shkollimin në gjuhën shqipe, u detyruan të drejtonin sytë nga Shqipëria e sapothemeluar. Me ndihmesën e Bajram Currit dhe të Hasan Prishtinës, që vinin nga pjesa shqiptare e mbetur jashtë, ideja që të kishte një institucion arsimor sa më afër Kosovës, u finalizua vetëm në vitin 1923 me hapjen në Kolgecaj (tash Bajram Curri) të një Internati, që do të quhej “Internati Kosova”.

Ndersa në vitin 1928 u hap Internati “Kosova”në Krumë për nxënësit nga Kosova, Hasi, Luma e Malësia e Gjakovës. Shkolla e Krumes, apo Internati “Kosova”u konsiderua si një qendër shumë prestigjioze arsimore ku kanë dhënë mesim shumë mesues të njohur nga Kosova e Shqipëria si Salih Morina, Ibrahim Kolqi, Beqir Kastrati, Qamil Luzha etj.

Hapja e këtyre shkollave rezultoi me efekte mjaft pozitive. Nëpër to do të kalonte një numër jo i pakët nxënësish nga Kosova, që pastaj të kryenin shkollat normale në Elbasan ose Shkodër. Studiuesit e arsimit shqip të asaj periudhe e theksojnë rëndësinë e shkollimit migrator për zhvillimet e mëvonshme të kësaj fushe. Kruma dhe shkolla e hapur aty u kthye në një port të diturisë dhe të ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve të okupuar. Qeveria e Shqipërisë në vitin 1973 Konviktin “Kosova” e shpalli objekt me rëndësi të veçantë, si pjesë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, pikërisht duke u nisur nga rëndësia dhe roli që luajti për shkollimin e kosovarëve.

Kronistët përmendin se ajo kishte 120 nxënës dhe 80 për qind e tyre ishin nga Kosova. Ata do të shënojnë se atyre “në këtë institucion iu dha formim shkencor, moral, atdhetar dhe artistiko-sportiv”. Kruma është larg nga Gjakova rreth 30 kilometra. Ajo qe strehë e dhjetëra e mijëra kosovarëve edhe gjatë luftës me Serbinë në fund të shekullit që e lamë. Është qendër administrative e Hasit, me rrugë të pastra, disa restorante ku mund të ushqehesh mirë, dhe kafene të mbushura me të rinj. Nga Kosova shihen vetura të pakta me udhëtarë që ndoshta kishin shkuar për të vizituar të afërmit. Andej e këndej vijës që ndan apo bashkon Kosovën me Shqipërinë jetojnë familje të një gjaku, që kanë rigjetur njëra – tjetrën pas shumë dekadash ndarjeje.

Në Krumë këtu e gati para një shekulli kishte më shumë të rinj nga Kosova përshi këtu edhe udhëheqës të luftës nacional-çlirimtare të ish Jugosllavisë dhe më pas edhe funksionarë të lartë politikë si Fadil Hoxha e Xhavit Nimani si dhe të rënët dëshmorë në luftë si Mazllum Këpuska, Ismet Shaqiri dhe heronjtë e Popullit Hajdar Dushi e Xheladin Beqiri (Karadaku) Jah Sali Mani si dhe një numer deshmorësh të luftës antifashiste si Mazllum Shasivari, Qemal Bakia, Ibush Vokshi e Xheladin Hana.Ata ishin atje për t’u arsimuar, që pastaj dijet e fituara t’ua transmetonin gjeneratave që do të vinin. Për ta u ngrit shkolla dhe konvikti, që u pagëzua “Kosova”.

Tani që ai i takon historisë, rrezikon të zhduket. Përballë, i strukur pas pallateve të reja, pranë një ndërtese të re shkollimi, ende qëndron në këmbë ky objekt, me muret që me pamje paralajmërojnë fundin, dritaret si sy të zgurdulluar që presin mëshirën e institucioneve, me derën e kyçur dhe në anën e djathtë të saj një pllakë me emrat e disa nga ish-nxënësit e rënë për liri, të cilët nuk kishin pasur “biografi” që do të lëndonin politikat moniste të kohës; para kësaj godine ndodhet një bazament mbi të cilin dikur do të ketë pasur ndonjë shenjë që do të ketë treguar se ç’ishte ajo ndërtesë, por tash është vetëm bazament betoni. Përreth ndërtesës është rritur bari e shkurret, që tregojnë se as për ambientin s’kujdeset kush. Ndertesa e Internatit “Kosova” e shndërruar në muze është nën juridiksionin e bashkisë Krumes.

Punonjësi I këtj muzeu nuk gjendet, madje as në Krumë. Mesa duket, ashtu si ndodh rëndom në Shqipëri, punonjës në të tilla vende pune emërohen sa për të marrë rrogën. Nëse ky objekt me rëndësi historike mbetet në këtë gjendje më gjatë, rrezikon fundin e tij. Institucionet e Kosovës, sikundër edhe ato lokale të Hasit, nuk do të duhej të ishin indiferente për këtë.

Krumë-Has, më 03 korrik 2014

Autori Çelaj është një ndër më të njohurit me një përvojë rreth 60 vjeçare si gazetar dhe drejtues mediash, aktualisht me banim në SHBA. /Gazeta e Prizenit

Asnjë koment

Comments are closed.