Inxhinieri i komunikacionit dëshmon në gjykimin e InfraKosit në Prizren
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj pesë zyrtarëve komunal të Komunës së Prizrenit dhe dy zyrtarëve të ndërmarrjes publike “InfraKos”, raporton Drejtësia Sot.
Të akuzuarit S.Paçarizi, N. Kryeziu dhe V. Islamaj, që të tre ish-Drejtor të Urbanizmit, B.Nerjovaj ish-Drejtor i Inspektoratit, B.Krasniqi ish-inspektor i ndërtimtarisë, A. Thaqi ish-Kryeshef në “InfraKos” dhe menaxheri i patundshmërive dhe bashkëpunëtori profesional pranë Infrakosit N. Avdyli, po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Teuta Krusha, është proceduar me dëgjimin e dëshmitarit N.R.
N.R. inxhinier i komunikacionit dhe njëherësh punëtor i INFRAKOSIT, në deklarimin e tij tregoi për zonën hekurudhore të Prizrenit dhe shtrirjen sipërfaqësore të saj nga kilometri 43.00 deri në kilometrin 58.00.
Tutje, dëshmitari lartcekur deklaroi se hekurudha është ndërtuar në vitin 1959, ndërsa është lëshuar në qarkullim në vitin 1963 dhe se riparime gjenerale nuk pasur por vetëm mirëmbajtje sipas standardeve të përcaktuara me ligj.
Në vazhdim, ky dëshmitar po ashtu theksoi se me qellim të testimit të rrugës hekurudhore përgjatë viteve 2003 dhe 2004, ka ardhur vetëm një lokomotivë deri Prizren, ndërsa qarkullim të trenave nuk ka pasur.
Ndërsa, lidhur me dëmtimet e përshkruara në aktakuzë të cilat i janë bërë ndaj hekurudhës dëshmitari tha se të njëjtat janë shkaktuar nga pala e tretë dhe janë dëmtime fizike e jo të shkaktuara nga ndërtimet e bëra përreth rrugës.
Drejtësia Sot, njofton se gjatë kësaj seance gjyqësore prokurori shtetit kërkoi që kjo seancë të shtyhet me arsyetimin se dëshmitari gjatë dhënies së dëshmisë ka dhënë informata të reja në këtë çështje penale dhe në këto rrethana ka kërkuar që të përgatitet për parashtrimin e pyetjeve, ndaj dëshmitarit të propozuar nga i akuzuari A. Thaqi.
Në fund të këtij gjykimi, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Krusha vendosi që ta aprovoj propozimin e prokurorit, ndërsa shqyrtimin gjyqësor e caktoj për 27 tetor 2021 në ora 09:30.