24-11-2024

Ironizohet marrëveshja në mes të drejtorëve të kryetarit Haskuka

Përfaqësues politik dhe ata të shoqërisë civile në Prizren, kanë ironizuar marrëveshjen në mes të dy resorëve komunal të Prizrenit, të cilat janë pjesë e ekzekutivit apo të një njësie administrative e buxhetore, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Drejtoria Komunale e Shëndetësisë dhe Drejtoria Komunale e Arsimit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillim të politikave imunizuese tek fëmijët.

Shefi i grupit të kuvendarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal në Prizren, Ilir Baldedaj pas kësaj ka bërë dy postime në profilin e tij në “facebook”.

Fillimisht ai ka kritikuar dy këshilltarët (drejtorët) e Mytaher Haskukës, Visar Shehun e Skënder Susurin, të cilët në prani të kryetarit, që i ka emëruar kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, derisa ka shkruar:

“Këta drejtor të paaftë e të padijshëm, po e nxjerrin kryetarin edhe naiv, përveç të paaftë e të padijshëm. Këshilltarët dhe Mytaher Haskuka bashkë po bëhen përrallë me tupan, përveç para qytetarit edhe në sytë e opinionit publik në nivel vendi.

Paaftësinë, mungesën e dijes por edhe naivitetin ekstrem zyrtarët e një njësie administrative, po e shpërfaqin, duke ia treguar dhembët e koalicionit Hakukës, thuajse ata e emëruan Haskukën e jo ky ata”, ka shkruar Baldedaj.

Më vonë ai ka postuar edhe një foto me një bashkëpartiak të tij, të shoqëruar me mbishkrimin “Sa po e nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit!!

Fotografia e Ilir Baldedaj

Ndryshe edhe zyrtari i KDI-së në Prizren, Naim Cahanaj nëpërmjet “facebook-ut” e ka kritikuar aktin e sektorëve të ekzekutivit lokal.

“Bashkëpunimi në mes të drejtorive, është lajmi (çudia) i javës?! Drejtorit komunale si kupola të vogla dhe autonome në qeverinë lokale në Prizren. Dy drejtorit komunale brenda një komune lidhin marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo tregon për nivelin strikt të ndarjes së pushtetit në mes të koalicioneve (edhe atëherë kur partneritetet ri-funksionalizohen 😉🤔 ). Deri aty paska vajtur puna, që për zhvillim të politikave lokale duhet të lidhet marrëveshje bashkëpunimi.

Herën tjetër mos të zgjedhim drejtpërdrejtë kryetar të komunës, po drejtor të drejtorive komunale”, ka shkruar Cahani. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.