Prizren: Ish-asamblistja e akuzuar thotë se kriteret për ankand publik janë vendosur pas vlerësimit nga zyrtari ligjor i pronës
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, e akuzuara Ganimete Babuna, ish-asmbliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, ka deklaruar se kriteret për ankand publik janë vendosur pasi që zyrtari ligjor nga zyra e pronës e ka vlerësuar vlefshmërinë dhe bazën ligjore të tyre.
Në këtë rast, të akuzuarit Levent Kasemi, ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi, ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ne si komision kemi propozu dhe i kemi prezantu kriteret për ankand publik, ashtu që zyrtari ligjor nga zyra e pronës e ka vlerësuar vlefshmërinë e këtyre kritereve dhe bazën ligjore të tyre, na ka thënë se mund të jenë kritere në ankand publik”, ka thënë e akuzuara Babuna.
E akuzuara tha se gjatë mandatit të dytë si asambliste e partisë politike “Nisma” në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, është zgjedhur si anëtare e Komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale.
Ajo ka theksuar se në secilën mbledhje që kanë pasur si komision, ka pasur edhe përfaqësues nga zyra e pronës komunale.
E akuzuara Babuna tha se puna e tyre si komision ka qenë transparente dhe se të njëjtit kanë qenë korrekt në vendimmarrje.
“Në vendimmarje mendoj që kemi qenë shumë korrekt, sepse për secilën ofertë kemi vlerësuar me poena të veçana secilin kriter veç e veç. Pastaj, shuma e mbledhur e këtyre kritereve ose poena për secilin kriter iu është dorëzuar në mënyrë tabelare zyrtarëve të pronës dhe ata e kanë bërë shpalljen e fituesit”, ka thënë Babuna.
E akuzuara shtoi se e ka kuptuar se fituese e lokalit numër 29 është Fatmire Berisha, vetëm pasi ishte thirrur për të dhënë deklaratë në Polici.
“Këtë lokal që e ka fitu Fatmire Berisha e kam kuptuar vetëm kur jam thirrur me dhënë deklaratë në Polici” ka thënë Babuna.
Në pyetjen e mbrojtësit të saj, avokatit Brahim Sopa se si është vlerësuar kriteri gjinor, Babuna ka thënë se secili kriter e ka pasur poentimin e vet.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Metush Biraj, e akuzuara Babuna ka treguar se gjatë punës në komision nuk ka poseduar ligje apo shkresa dhe se nga zyrtari ligjor janë refuzuar kriteret të komisionit, të cilat kishte vlerësuar se nuk kanë pasur bazë ligjore.
Ajo theksoi se si anëtarë të Kuvendit Komunal të Prizrenit gjatë punës së tyre në komision detyrë kishin pasur që të prezantojnë kërkesat, ankesat dhe propozimet që kishin dalë nga Kuvendi.
E pyetur nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar- Komuna e Prizrenit, Florentina Çoçaj, e akuzuara Babuna ka thënë se sektori i pronës ka marrë parasysh vlerësimin e komisionit, pastaj e ka shpallur fituesin.
Në fund, tha se punën e saj si asambliste dhe si anëtare e komisionit e ka kryer me nder dhe se nuk e ndjen veten fajtore për veprën penale për të cilën ngarkohet.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha njoftoi se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 10 mars 2023.
Ndryshe, të akuzuarit Levent Kasemi ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.
Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.
Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.
Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi
shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.