24-11-2024

Ish-drejtorit të Inspektoratit, Bujar Nerjovajt i refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, ka njoftuar se i akuzuari Nerjovaj, në formë të shkruar dhe brenda afatit ligjor, ia kishte dorëzuar gjykatës kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokatit Fitim Shporta.

Sipas gjykatësit Osmani, arsye për refuzimin e kësaj kërkese ka qenë se ka prova të mjaftueshme për të vazhduar me gjykimin e këtij rasti.

Nerjovaj, akuzohet se derisa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Ndryshe, nga seanca fillestare, ku mbrojtës i të akuzuarit Nerjovaj, ishte avokati Fitim Shporta, në seancën e së martës, si mbrojtës i tij, ka prezantuar avokati Skender Morina, sipas të cilit seancat e radhës ndaj të akuzuarit Nerjovaj, do të mbahen nën përfaqësimin e tij.

Në këtë seancë, avokati Morina, tha se përveç provave që i disponon prokuroria, mbrojtja për momentin nuk ka prova të tjera, por të njëjtat mund t’i paraqes gjatë shqyrtimit kryesor.

Ndërkaq, prokurori Metush Biraj, ka thënë se aktakuza është ushtruar konform dispozitave ligjore, sipas tij, e mbështetur në prova të pranueshme dhe të bazuara.

Biraj, gjatë seancës së shqyrtimit të dytë, propozoi që duke u bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës, të shkohet në shqyrtimin kryesor.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 29 nëntor 2018, Nerjovaj, ish-drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas gjykatësit Osmani, seanca e radhës do të caktohet pas formimit të trupit gjykues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës . /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.