Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kryeziu: Janë trajtuar bashkë ujdia e 2013 dhe 2015 për Asociacionin
Qeveria e Kosovës thotë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka trajtuar kurrë Marrëveshjen e Parë të Asociacionit të vitit 2013 dhe se subjekt trajtimi ka qenë vetëm ujdia e 2015-ës.
Andaj, sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, Kushtetuesja i përgjigjet vetëm pyetjes që i bëhet dhe jo nënpyetjeve potenciale që derivojnë.
“E vetmja arsye pse Kushtetuesja në interpretimin e saj ka thënë që duhet të formohet në bazë të marrëveshjes së 2013, është se, e para nuk e ka pasë në shqyrtim dhe e dyta se nëpërmjet interpretimit të saj për marrëveshjen e 2015 nuk mundet me e zhbë marrëveshjen e 2013, sepse nuk e ka pasë si subjekt. Qysh mundet burimi i marrëveshjes së 2015 i cili bie ndesh me 23 pika të Kushtetutës mos me qenë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Kryeziu.
Version të kundërt jep ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu.
Ky thotë për “Front Online” se të dyja marrëveshjet, si e 2013-ës dhe ajo e 2015-ës, u trajtuan nga organi më i lartë i drejtësisë që garanton respektimin e Kushtetutës.
“Ujdia e 2013-ës ka kaluar në Kuvend. Është bërë ligj për ratifikimin e marrëveshjes. Për marrëveshjen e dytë, atë të 2015-ës, presidentja ka pasë dilema, a është në përputhje me frymën Kushtetuese dhe ka bë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja e ka pranuar për me trajtu, në kuadër të kësaj e ka trajtuar edhe marrëveshjen e vitit 2013”, u shpreh Kryeziu për “Front Online”.
Ish-gjyqtari tregon për aktvendimin final që erdhi pas filtrimit të dy ujdive.
“Në kuadër të kësaj Kushtetuesja ka ardhë në përfundim se marrëveshja e dytë është në kundërshtim ne disa nene të Kushtetutës. Zbatueshmëria është dashtë të bëhet përmes primeve të marrëveshjes së dytë. Gjykta Kushtetuese ka konkloduar se Asociacioni mund të bëhet vetëm nga marrëveshja e 2013-ës dhe jo e 2015-ës”, deklaroi Kryeziu për “Front Online”.
Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Kushtet e Kurtit për Asociacionin
Kryeministri Albin Kurti ka gjashtë kushte për ta konsideruar themelimin e Asociacionit.
Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.
QUINT-i e opozita vs. kushtet
Ndërkombëtarët nuk i komentuan kushtet, por kërkuan themelimin sa më të shpejt të AKS-së.
Opozita, në anën tjetër, e akuzoi Kurtin për pranim të Asociacionit dhe ndryshim të qëndrimit të tij karshi kësaj teme./Front Online/