Ish-inspektori në Prizren mohon fajësinë se lejoi objektin që ta tejkalonte lejen e ndërtimit
Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmendin Musliu, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ish-inspektori Musliu, edhe në dy raste tjera akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në rastin, për të cilin të premten është mbajtur seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prizren, ish-inspektori Musliu, akuzohet se në nëntor të vitit 2016, nuk ka ndërmarr veprime në rastin e një mbindërtimi pa leje, që sipas aktakuzës, ka lejuar ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Musliu, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se ai nuk e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.
Pasi që i akuzuari e ka mohuar fajësinë, gjykatësja Raima Elezi, e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet në lidhje me provat si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, derisa shqyrtimin e dytë gjyqësor e ka caktuar më 19 nëntor 2019, në ora 09:00.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Ndryshe, ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu akuzohet edhe për dy raste tjera për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtare. /BetimipërDrejtësi
P. S Foto nga arkivi