Ish-kryetari i Malishevës deklarohet i pafajshëm për korrupsion, prokuroria thotë se do të vërtetohet fajësia e tij
Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili po akuzohet për korrupsion, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë. Ndërsa, Prokuroria pretendon se do të vërtetohet fajësia e tij.
Begaj akuzohet se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Begaj u deklarua i pafajshëm për veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.
Më pas, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse dhe dëgjimin e të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit Bilall Rudi.
Prokurori special Naim Abazi fjalën e tij hyrëse e dorëzoi me shkrim dhe të njëjtën e elaboroi shkurtimisht gjatë seancës.
Sipas prokurorit Abazi, pas zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe administrimit të provave të propozuara, do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza që ai përfaqëson.
I dëmtuari Rudi, deklaroi se në një mënyrë e konsideron veten të dëmtuar dhe se për kërkesën pasurore-juridike do të deklarohet më vonë.
Në fjalën e tij hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Begaj, avokati Emrush Kastrati deklaroi se e kundërshton në tërësi aktakuzën e prokurorisë.
“Pala mbrojtëse edhe në këtë fazë të procedurës në tërësi e kundërshton aktakuzën e prokurorit special që është objekt i këtij gjykimi, konsiderojmë se dispozitivi i saj është në kundërshtim me vetveten dhe nuk sqaron saktë veprimet inkriminuese të të mbrojturit tim”, tha Kastrati.
Avokati deklaroi se në aktakuzë nuk është përcaktuar as vlera e dëmit të palës së dëmtuar dhe se është një përshkrim i debatit të vazhdueshëm të Asamblesë Komunale në Malishevë.
Kastrati tha se kjo aktakuzë i ngjan një aktakuze politike sesa ndonjë veprimi inkriminues, kjo pasi që sipas tij se ajo ka ardhur si rezultat i debatit politik lidhur me ndërtimin e shkollave që janë objekt i kësaj aktakuze.
Avokati shtoi se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor, gjykata do të bindet se veprimet apo mosveprimet e të mbrojturit të tij nuk formojnë elementet e veprës penale, pasi që në këtë rast askush nuk ka fituar kundërligjshëm dhe se në këtë rast përfitues të vetëm janë nxënësit e shkollës.
“Paraja publike është përdorë pikërisht për interesin publik”, tha avokati, duke shtuar se qëllimi kryesor ka qenë përfitimi i nxënësve.
Pas dhënies së fjalës hyrëse, u dëgjua i dëmtuari Bilall Rudi, i cili ishte ftuar në cilësi të dëshmitarit për t’u dëgjuar gjatë kësaj seance.
Dëshmitari tha se zyrtarët e komunës i kishin kërkuar ta lirojnë një pjesë së pronës së tyre rreth 8 ari.
Ai tha se ai nuk ishte pajtuar, mirëpo vëllezërit e tij kishin pranuar ndërtimin e shkollës në atë pjesë, me kusht që e njëjta pronë të kompensohet nga Komuna e Malishevës, jo me të holla por me pronë.
Ai tha se kishte pasur marrëveshje gojore, fillimisht me zyrtarë komunal, por që marrëveshjen përfundimtare e kishte pasur me të akuzuarin Begaj, që të bëhej ndërtimi i shkollës dhe këmbimi.
Dëshmitari tha se marrëveshja me kryetarin kishte qenë vetëm për dhënien e tokës, por jo edhe vendin e kompensimit dhe vlerën, mirëpo që sipas dëshmitarit, Begaj nuk i kishte premtuar asgjë.
“Ai e ka qitë disa herë në Asamblenë Komunale dhe e njëjta nuk është votuar”, tha dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, shkolla ka qenë e vogël dhe ka pasur mungesë të hapësirës dhe se ndërtimi i shkollës në pronën shtetërore ka qenë i pamundur pasi që toka ka qenë e ngushtë dhe e pjerrët dhe ka qenë e nevojshme të merret prona e tij. / Betimi për Drejtësi/