Ish-prokurori me aktakuzë për korrupsion, Metush Biraj pjesë e tubimit elektoral të Shaqir Totajt në Has
Në ceremoninë e zhvilluar, Biraj është parë në rreshtin e parë, duke u përshëndetur edhe me vetë kandidatin Totaj. Prania e tij është fiksuar në video nga vendi i ngjarjes.
Ndaj ish-prokurorit Biraj është duke u zhvilluar proces gjyqësor me aktakuzë për marrje ryshfeti. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka marrë 20 mijë euro për të ndikuar në një rast penal që lidhej me trafikim narkotikësh. Aktakuza ndaj tij u ngrit në mars 2024, pas hulumtimit të publikuar nga “Betimi për Drejtësi” , me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”.
Në bazë të aktakuzës, Biraj dyshohet se kishte pranuar rreth 5 mijë euro për të tërhequr kërkesën për paraburgim ndaj tre të arrestuarve , Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu – dhe rreth 20 mijë euro të tjera për të tërhequr aktakuzën në tërësi.
Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja ndaj tij të kalojë në kompetencë të Prokurorisë Speciale, duke e cilësuar rastin si korrupsion të nivelit të lartë. Sipas Apelit, periudha kur dyshohet se është kryer vepra penale shtrihet mes prillit dhe korrikut 2023, kohë kur Biraj ende ushtronte detyrën e prokurorit në Prizren.
Në raportime të mëhershme të mediave, përfshirë “Insajderin”, është theksuar se ish-prokurori Biraj ka lidhje familjare me kryetarin aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj ( konkretisht, ai është nip i babait të Totajt ).
Video: https://www.facebook.com/reel/1133532178958579
