Ish-shefi i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Ismet Mazreku, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Mazreku ka mohuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, gjykatësi Nikollë Komani, e ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Emrush Kastrati, se kanë afat që brenda jo më shumë se 40 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe provat.
Shqyrtimi i dytë për këtë rast, sipas gjykatësit Komani, është caktuar me 24 maj 2019, prej orës 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi