Ish-zyrtari i QR të Automjeteve në Prizren dënohet me burg dhe gjobë
Baxhaku akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, manipulim me prova, si dhe veprën penale, cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Raima Elezi, për këto vepra penale, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej një vit burgim si dhe njëmijë euro gjobë, derisa sa i përket veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues.
Gjykatësja Elezi, ka deklaruar se gjatë llogaritjes së dënimit, të pandehurit do t’i merret parasysh edhe koha e qëndrimit në paraburgim, në afat prej 15 ditësh si dhe koha e qëndrimit në arrest shtëpiak, prej një muaji.
I akuzuari Baxhaku, është i obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për viktimat e krimit.
Ky aktgjykim është shpallur pasi që Gjykata Themelore në Prizren e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të lidhur në mes Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të akuzuarit Baxhaku.
Propozimin për pranimin e marrëveshjes e ka bërë përfaqësuesi i të akuzuarit, avokati Skender Morina.
“Nëse gjykata e pranon marrëveshjen, lusim që të ketë parasysh rrethanat lehtësuese në rastin e shqiptimit të dënimit. Si rrethanë të ketë parasysh moshën e të akuzuarit, gjendjen e tij ekonomike, faktin se është i papunë dhe është kthyer të jetojë në fshat, pendimin e thellë dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të kryejë vepra penale”, ka deklaruar avokati Morina.
Pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ka thënë se qëndron edhe prokurori Mehdi Sefa.
Ai ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë këtë marrëveshje, pasi që siç ka thënë ai, ajo është lidhur me vullnet të plotë dhe pa asnjë presion.
“Te dy palët kanë pasur favore të caktuara. Favori i prokurorisë ka qenë ekonomizimi i procedurës dhe duke marrë parasysh se mbrojtësi së bashku me të akuzuarin kanë pranuar fajësinë, kuptohet që edhe ata kanë pasur favore. Prokurori është tërhequr nga ndjekja për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, pasi që ajo është përmendur në pjesën e përshkrimit faktik, gjegjësisht në mënyrën e kryerjes së veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka deklaruar prokurori Sefa.
Sefa gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të bëjë konfiskimin e të gjitha dokumenteve të cilat janë propozuar në aktakuzë.
Gjykatësja e çështjes, Raima Elezi, të dëmtuarin e ka udhëzuar në kontest të rregullt civil, ndërsa palët në të drejtën e tyre të ankesës.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 29 mars 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Shkodran Baxhaku, në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, duke e ngarkuar me pesë vepra penale.
Sipas organit të akuzës, ai akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Baxhaku, më 5 shkurt 2018, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ Nr.16/2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për regjistrimin e automjeteve, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër, si dhe me qëllim të shmangies së shqiptimit të gjobës kundërvajtëse, në certifikatën e regjistrimit të automjetit e shënon tekstin si në vijim, ”automjeti posedon xhama të pasmë të errësuar” edhe pse në dokumentet e prodhuesit dhe atë të homologimit nuk është e shkruar një gjë e tillë.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohet se në periudhën kohore prej 3 nëntor 2016 deri më 18 shkurt 2017, në Prizren, i tejkalon kompetencat duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr.16/2016 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për dy persona tjerë, në atë mënyrë që pa i paguar taksat komunale ka vazhduar regjistrimin e katër automjeteve, me ç’ rast u mundëson personave tjerë përfitim në shumën prej 330 euro.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e ngarkon të pandehurin se me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, vërteton dokumentin zyrtar me përmbajtje dhe të dhëna të rreme, duke bërë regjistrimin e automjetit për dy vite edhe pse regjistrimi i automjeteve dhe vazhdimi i tyre bëhet vetëm për një vit.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer për veprën penale të falsifikimit të dokumentit, nga neni 434 paragrafit 1. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, organi i akuzës, e ngarkon atë edhe për veprën penale “manipulimi me prova”, pasi që më 18 korrik 2018, në objektin e QRA në Prizren, ndryshon dhe heq printerin e markës “Epson” me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të atij sendi si provë në procedurën zyrtare, në atë mënyrë që edhe pse nuk ishte në detyrë gjatë kohës së pauzës, në tavolinën e tij të punës ku ka punuar më herët, e largon printerin e markës “Epson” me qëllim që të fsheh provën se nga ai printer është shtypur dokumenti i regjistrimit të automjetit me përmbajtje “automjeti posedon xhama të pasme të errësuar”.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulimi me prova” nga neni 397 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në pikën e fundit të aktakuzës, i akuzuari Baxhaku, ngarkohet se në periudhën kohore 2017-2018, në objektin e QRA në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar, pa autorizim ndërhynë në baza të të dhënave kompjuterike të personit tjetër, dhe atë drejtorit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili është vërtetuar pas ekzaminimit në telefonin e të akuzuarit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike” nga neni 202 par. 4 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, Shkodran Baxhaku akuzohet edhe në një rast tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi