‘Isha në kohën e gabuar me shokë të gabuar’ – Çka tha në gjykatë i akuzuari për rrahjen në Prizren?
I akuzuari K.R. ka dalë para gjykatës për rrahjen që kishte ndodhur në dhjetor të 2019 në Prizren. Gati 5 vite më vonë, i akuzuarit deklaroi në gjykatë se ai kishte qenë “në kohën e gabuar me shokë të gabuar”.
K.R. po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për veprën lëndim i rëndë trupor.
Ai para gjykatës tha se nuk e sheh vetën përgjegjës lidhur me veprën penale që akuzohet.
I akuzuari K.R. u pyet nga prokurori se “Përse keni ikur duke e ditur se ju keni ndërhy për t’i ndarë e jo për t’i sulmuar?”.
“Unë jam larguar, kam ikur ngase e kam parë personin e shtrirë, jam frikësuar ngase nuk jam njeri i problemeve.” – ishte përgjigje e të akuzuarit K.R..
Prokurori pyeti të akuzuarin nëse pas rrahjes, ishte takuar me ata shokët.
“Pas incidentit të ditës kritike a jeni takuar me ata shokë dhe a jeni interesuar për çfarë arsye kanë sulmuar të dëmtuarin”
“Unë kam qenë në atë kohë, në moment të gabuar, me shokë të gabuar dhe nga ajo ditë e deri më sot unë nuk shoqërohem me ata shokë” – tha i akuzuari K.R..
Në aktakuzën e Prokurorisë pretendohet se i pandehuri K.R. me datë 09.12.2019 rreth orës 23:45 në Prizren, në bashkëveprim me të pandehurin Gj.P. , i shkakton lëndime trupore të dëmtuarit M.S., për shkak të një mosmarrëveshje që kishte ndodhur para një viti mes të dëmtuarit dhe të pandehurit Gj.P..
Tutje, në akuzë thuhet se “të njëjtit me ta takuar ditën kritike të dëmtuarin në rrugë i cili kishte qenë duke ecur, për një moment i pandehuri Gj.P. e kap për kapuçi e më pas e sulmojnë duke e goditur disa herë me grushte mbrapa në kokë dhe fytyrë.
“Si pasojë e veprimeve të marra i dëmtuari rrëzohet përtokë ku edhe pas kësaj i pandehuri Gj.P. vazhdon ta godas me grushte derisa i dëmtuari mbetet pa vetëdije”. – thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas prokurorisë, me këto veprime i akuzuari i lartpërmendur pretendohet ta ketë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Gjyqtari i këtij rasti është Fatmir Krasniqi nga Gjykata Themelore e Prizrenit./Kallxo.com