Ja cilat shkolla do të përfshihen në vlerësimin e mësimdhënësve në komunën e Prizrenit
Procesi për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve në komunën e Prizrenit është paraparë të fillojë nga 1 nëntori i këtij viti, ndërsa në fillim të projektit që nis për herë të parë janë përzgjedhur 5 shkolla të komunës së Prizrenit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është proces që planifikohet dhe udhëhiqet nga MASHT, përmes Inspektoratit të Arsimit në përputhje me legjislacionin përkatës.
Drejtori për Arsim në Prizren, Skënder Susuri ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net”, se në vlerësim planifikohet të përfshihen rreth 20 mësimdhënës, të cilët janë përzgjedhur nga shkollat respektive në bashkëpunim me inspektoratin, sigurisht mbi bazën e përvojës dhe trajnimeve të cilat janë të domosdoshme për këtë proces.
Të gjitha shkollat e përfshira në këtë projekt janë nga qyteti. Prej tyre vetëm një është e mesme, gjimnazi “Remzi Ademaj, ndërsa të tjera janë fillore dhe të mesme të ulëta, si: “Mustafa Bakiu”, “Emin Duraku”, “Lekë Dukagjini” dhe “Haziz Tolaj”.
Shkolla e parë që do të vlerësohet është “Emin Duraku”.Drejtori i saj, Rrahim Bekteshi, tha për “GazetaePrizrenit.net” se vlerësimi do të kryhet nga zyrtarët e SIAS (inspekoratit), ndërsa një rol do të ketë edhe drejtori i shkollës.
Vlerësimi performancës së mësimdhënësve është në përputhje me Kornizën Strategjike me qëllim që të sigurojnë të njëjtat standarde të licencimit dhe standarde mbi të cilat krijohen ofertat për zhvillim profesional. Ndër kriteret për përfshirje të kandidatëve për licencim janë kryerja e trajnimeve bazike.
Sipas informatave, nën 85 pikë mësimdhënësi nuk rilicencohet. Aty nuk përfshihet vetëm mësimdhënia, por të gjitha aspektetet që kanë të bëjnë me punën e një mësimdhënësi./GazetaePrizrenit.net/.
Foto: Nga takimi i ekipit për përformancën në shkollën “Emin Duraku”.