09-10-2025

Ja çka thuhet në vendimin për dënimin e “Kobrës” për vr’asj’en në lokalin “Kobra City”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe katër të akuzuarve: Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” më 3 janar 2023.

Hoxhaj u dënua me dënim unik prej 24 vjet burgim, Roland Susuri u dënua me dënim unik prej 7 vjet burgim, Jesmir Badallaj u dënua me dënim unik prej 2 vjet burgim, Arben Vezaj dhe Burim Mazreku u dënuan me nga 1 vit burgim.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Sipas aktgjykimit, Dibran Hoxhaj për vrasje të rëndë u dënua me 23 vjet burgim, për armëmbajtje pa leje me 2 vjet burgim. Ndaj tij, u shqiptua dënim unik me 24 vjet burgim, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Roland Susuri për manipulim me prova u dënua me 4 vjet e gjysmë burgim, për pjesëmarrje në rrahje me 1 vit e gjysmë burgim, dhe për armëmbajtje pa leje me 1 vit e gjysmë burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 7 vjet burgim.

Arben Vezaj për pjesëmarrje në rrahje u dënua me 1 vit burgim, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kurse, Burim Mazreku për manipulim me prova u dënua me 1 vit burgim, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I akuzuari Jesmir Badallaj për pjesëmarrje në rrahje u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 10 muaj burgim. Ndaj tij, u shqiptua dënim unik me 2 vjet burgim, ku i llogaritet edhe koha e kalaur në paraburgim.

Prezent në shpallje të aktgjykimit ishin prokurorja speciale Habibe Salihu dhe i akuzuri Jesmir Badallaj. Ndërkaq, i akuzuari Hoxhaj nuk ishte i pranishëm në shpallje, me kërkesë të tij, të dhënë në seancën e kaluar ku ishte dhënë fjala përfundimtare. Të pranishëm s’ishin as tre të akuzuarit tjerë.

Roland Susurit, Gjykata ia caktoi masën e paraburgimit konform dispozitatve ligjore në fuqi.

Ndaj këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në kohëzgjatje prej 30 ditësh. 

Pala e dëmtuar për relizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Kurse, armët e sekuestruara konfiskohen dhe të njëjtat urdhërohen për shkatërrim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Më 13 maj 2024, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Themelorja ua kishte konfirmuar të akuzuarve aktakuzën që mund ta lexoni të plotë duke klikuar KËTU./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.