16-12-2025

Ja përse dyshohet se ndodhi tentimv*rasja në Nashec të Prizrenit

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur sot në fshatin Nashec të Prizrenit, ku një person ka mbetur i plagosur, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lidhur me rastin, ka folur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka thënë se dyshimet e para rreth motivit të plagosjes është një mosmarrëveshje rreth vendit ku po kulloteshin bagëtitë.

Siç mësoi Gazeta Sinjali, viktimë e këtij rasti është Agim Gutaj, i cili ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkaq, si i dyshuar për këtë vepër penale është arrestuar Anton Kelmendi, banor i të njëjtit fshat.

Kelmendi me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda është ndaluar për 48 orë.

“Prokuroria ka kualifikuar veprën si vrasje e ngelur në tentativë, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda është ndaluar për 48h”, tha ai.

Policia ka konfiskuar edhe armën e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.

Hetimet janë në zhvillim, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente si “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.