PDK në Prizren tashmë ndodhet në prag të përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, prej të cilit pritet të dalë edhe kryetari i ri i degës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
PDK është partia më e madhe politike në Prizren, ndonëse pas zgjedhjeve të vitit 2017 mbeti në opozitë. Ky subjekt ka numrin më të madh të anëtarëve në Kuvendin Komunal, gjithsej 12, apo 5 më shumë se sa Vetëvendosje!, që për shkak të postit të kryetarit të Komunës, drejton pushtetin lokal.
Procesi zgjedhor nëpër nëndegë, sikur që nesër (e diel ) në orën 18 do të mbahet në nëndegën “28 Nëntori” në lagjen Ortakoll të qytetit, do t’i hapin rrugën Kuvendit të degës.
Njoftohet se ky proces duhet të kryhet edhe në pak nëndegë, në mënyrë që me 13 prill kur është përcaktuar, të mbahet Kuvendi zgjedhor i degës.
Deri tash i vetmi që e ka paraqitur kandidaturën për kryetar dege është ish-kandidati i këtij subjekti politik për kryetar komune, në zgjedhjet e fundit lokale, Shaqir Totaj.
Ditë më parë Totaj ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se gjatë procesit të brendshëm zgjedhor ka vërejtur një potencial i fshehur brenda këtij subjekti, persona që me vlerat e tyre paraqesin thesar për PDK-në dhe që së bashku me shumë profesionistë tjerë me integritet, do të paraqesin vlerë të shtuar dhe ofertë kualitative për Prizrenin.
Ndryshe, ajo që kërkohet në këtë rast nga PDK, që ka një eksperiencë si në opozitë ashtu edhe në pushtet, është procesi i vetëpastrimit nga njerëz të përfolur për keqpërdorime, të përfshirë edhe në procese gjyqësore.
Opinioni po ashtu pret zgjedhjen sa më parë të kryetarit të ri të Degës, si dhe angazhimin e njerëzve të rinj profesional e meritor në mënyrë që ky subjekt të fillojë opozitarimin e vazhdueshëm politik, për ta mbajtur qeverisjen aktuale të përgjegjshme, që ka edhe si obligim për votën e marrë qytetare. /GazetaePrizrenit.net/