Ja kur pritet të bëhet ndërrimi i targave që janë KS në RKS
Ka më shumë se një muaj që prej kohës kur shumë qytetarë të Kosovës nuk po arrijnë të pajisen me targa të automjeteve.
Shumë prej automjeteve të cilat i shohim rrugëve të Kosovës janë me targa ta njohura si ‘Probation’, e që ua pamundësojnë të kalojnë kufirin e të cilat janë vetëm targa të përkohshme.
E gjithë kjo mungesë e targave u bë shkaku i mungesës së kontratës për furnizim me targa të automjeteve.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme, saktësisht Agjencioni i Regjistrimit Civil.
“Për shkak të mungesës së kontratës për furnizim me targa të automjeteve”, u tha shkurt në përgjigjen e MPB-së.
Përpos mungesës në furnizim gjatë ditëve të fundit u raportua për mundësinë e ndërrimit të targave, por në këtë nuk do të përfshihen të gjitha, pasi ndërrimin e targave do të duhet ta bëjnë vetëm pronarët e automjeteve me KS.
Kësisoj nga ky muaj e tutje të gjitha targat e automjeteve në vend do të jenë vetëm RKS.
“Të gjitha targat do të jenë vetëm RKS. Ndërrimi i targave nga KS në RKS do të bëhet sipas vendimit për tarifat”, u tha tutje në përgjigje.
Por furnizimi me targa për të gjithë ata qytetarë që po presin do të fillojë të bëhet brenda një muaji.
Sipas Agjencia për Regjistrim Civil duke qenë se tani është nënshkruar kontrata për furnizim me targa me një operator ekonomik, furnizimi do të bëhet brenda një muaji.
Përpos kësaj, deri më 14 shtator të këtij viti, asnjë automjet i regjistruar në Kosovë nuk do të mund të shihet më me targa KS, pasi që të njëjtat do të zhduken dhe do të zëvendësohen nga targat e njohura si RKS.
Ky ndryshim sipas Agjencia së Regjistrimit Civil po bëhet në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, e cila nisi së zbatuari më 14 shtator të vitit 2016 dhe e njëjta parashihet të përfundojë më 14 shtator të këtij viti.
Duhet përkujtuar që numri i automjeteve të cilat janë regjistruar me targa KS pati kaluar shifrën mbi 35 mijë dhe nga 14 shtatori kur kalon regjistrimi i tyre, fillon ndryshimi që ato të shndërrohen në RKS.
Nga MPB u theksua se pronarët e automjeteve të cilët posedojnë targa KS me rastin e vazhdimit të regjistrimit, janë të obliguar që targat KS t’i ndërrojnë me targa RKS, në bazë të procedurave për vazhdimin e regjistrimit të mjetit si dhe duke u bazuar në vendimin e datë 10 janar 2020, për caktimin e tarifave.