Ja kur pritet të normalizohen çmimet në Kosovë, sipas Bankës Botërore
Të gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po përballen me një gamë të re sfidash ekonomike, përkundër ringritjes më të mirë sesa pritej nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19, shprehet Raporti i fundit i rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor (nr. 21 i serisë).
Rritja e BPV-së në rajon kapi nivelin prej 7.4 për qind në vitin 2021, pas tkurrjes prej 3.2 për qind në vitin 2020. Ky kthim në rritje solli hapje të konsiderueshme të vendeve të punës, dhe kërkesa për punësim ndihmoi në uljen e varfërisë në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2021, shkalla e punësimit në Ballkanin Perëndimor kapi nivelin më të lartë historik prej 45.8 për qind. Megjithatë, rimëkëmbja pas pandemisë u ndërpre nga valët e tronditjeve që lufta në Ukrainë ka dërguar në mbarë rajonin. Tashmë, rritja për Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë 3.1 për qind në vitin 2022.
Ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të plotë të mbështetur nga konsumi privat, rritja rekord e eksporteve, rikthimi i jashtëzakonshëm i vizitave nga diaspora, rritja e fortë e kreditimit, si dhe stimujt e konsiderueshëm fiskalë. Me rimëkëmbjen e ekonomisë u përmirësua bilanci fiskal dhe u ngadalësua rritja e borxhit publik falë performancës së fortë të të hyrave publike. Megjithatë, rimëkëmbja u shoqërua edhe me presione jashtëzakonisht të larta inflacioniste, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit, të nxitura kryesisht nga rritja e çmimeve të importeve.
Ndikimet e zgjatura të presioneve të jashtme të kohëve të fundit mund t’i përkeqësojnë më tej perspektivat ekonomike të Kosovës. Pengesat strukturore, siç janë kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, e shtojnë më tej pasigurinë. Rritja në vitin 2022 pritet të ngadalësohet në nivelin mes 3 dhe 4 për qind, duke supozuar se çmimet do të normalizohen gjatë gjysmës së dytë të vitit. Investimet e vazhdueshme private dhe përshpejtimi i investimeve dhe konsumit publik pritet të jenë mbështetës të rritjes.
“Ka nevojë urgjente për trajtimin e kufizimeve për rritjen me produktivitet më të lartë dhe për investime në kapitalin njerëzor më mënyrë që Kosova t’i shfrytëzojë avantazhet që sjell popullsia në moshë të re”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Nëse Kosova nuk e forcon kapitalin e vet njerëzor, do ta ketë më të vështirë të sigurojë rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, nuk do të ketë fuqi punëtore të përgatitur për punët e së ardhmes, si dhe nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë në ekonominë globale.