Ja pse në qytetet e mëdha ka shumë më tepër të infektuar me Covid-19
Qytetarët shqiptarë të cilët jetojnë në qytete të mëdha dhe të mbipopulluara si Tirana, Durrësi, Fieri, Korça, Shkodra, etj., sipas ministrisë së Shëndetësisë kanë numrin më të madh të të infektuarve.
Por pse ndodh kjo? Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj evidenton shkaqet e infektimit shqetësues.
Vetëm nga ajri i ndotur, në botë, në vit, vdesin 6.7 milionë njerëz. Ajri i ndotur nuk vret menjëherë, ai vret ngadalë, ndaj dhe njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi. Një mjedis konsiderohet i shëndetshëm nëse mesatarja vjetore e PM2.5 në 1 m3 ajër është më poshtë se 12 mikrogramë. Të dhënat nga pandemia Covid-19, tregojnë se nëse kjo vlerë rritet me 1 mikrogram, vdekshmëria nga Covid-19 rritet deri në 15%. Mikrogrami është sa një e milionta e gramit, thotë Baraj.
“Është provuar se ka një lidhje të ngushtë midis Covid 19 dhe cilësisë së ajrit urban. Dy janë përfundimet: a) Njerëzit që kanë jetuar në një mjedis të ndotur, rrezikojnë më shumë kur preken nga Covid-19. b) Në zonat me ajër të ndotur, shpejtësia e përhapjes së virusit është shumë e madhe”.
Por përse ndodh kjo? Baraj sqaron: “Grimcat PM2.5, shërbejnë si transportues të Covid-19 në ajër. Milano është qyteti më i ndotur në BE dhe aty pati më shumë viktima. Në Milano, niveli i PM2.5 është 20 deri 30 mikrog/m3”.
Po në vendin tonë? Baraj evidenton: “Në Shqipëri, PM2.5 dhe oksidet e azotit shkaktohen kryesisht nga makinat. Tirana në pika të caktuara ka nivele relativisht të larta. Ndaj kufizimi i përdorimit të makinave është një masë e dobishme për të ruajtur jetët e njerëzve”.
Kjo shihet nga Baraj të jetë mundësia kryesore për të shpëtuar shumë jetë njerëzish nga Covid-19 dhe problematikat në sistemin e frymmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare, etj.
Prof. Besnik Baraj, 64 vjeç nga Tropoja, është i laureuar në Kimi. Shumë vite ka qenë profesor Universiteti në Tiranë, Barcelonë dhe Rio de Zhanejro, Brazil. Ka kryer një sërë specializimesh në Vjenë në vitet 2002-2007 për spektroskopinë e plazmës. /noa.al/ GazetaePrizrenit