Ja sa para shtesë fitojnë mësimdhënësit për kualifikim e inflacion
Opinioni juridik që Gjykata Supreme ka lëshuar për Kontratën Kolektive në favor të mësimdhënësve ka vënë në pikëpyetje projektet kapitale që komunat kanë planifikuar në sektorin e arsimit. Gjykata e shkallës së tretë iu ka dhënë të drejtë mësimdhënësve që të përfitojnë shtesat e kualifikimit e edhe kompensimin bazuar në shkallën e inflacionit. Sipas përllogaritjeve në Asociacionin e Komunave të Kosovës, kostoja e kësaj do të jetë mbi 25 milionë euro.
Shkalla e inflacionit prej 12 për qind gjatë vitit 2022 ka ndikuar që mësimdhënësit të nxjerrin përfitim shtesë nga shteti, duke u bazuar në Kontratën Kolektive, e cila ishte në fuqi deri në fund të vitit të shkuar.
Ata janë duke përfituar rreth 60 euro shtesë në 11 paga që morën vitin e kaluar, kur inflacioni shënoi rritjen më të madhe.
Këtë janë duke e gëzuar pas një opinioni që Gjykata Supreme ka lëshuar para dy muajve, duke iu dhënë të drejtë mësimdhënësve që të përfitojnë shtesat e kualifikimit e shumën e bazuar në rritjen e çmimeve në treg.
Gjykata e shkallës së tretë lëshoi mendim juridik pas kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) për opinion ligjor, pasi Ministria e Arsimit në nëntor të vitit të shkuar shkëputi këtë kontratë me SBASHK-un.
“Punëtorët në bazë të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë të datës 18.4.2017 dhe Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë të datës 22.1.2021 kanë të drejtë që në pagën e tyre të futet përqindja e inflacionit, marrë për bazë shkallën e inflacionit çdo vit, sipas Entit të statistikave të Republikës së Kosovës, ashtu siç është përcaktuar me nenin 35, pika 10 të këtyre marrëveshjeve”, shkruan në opinionin e gjykatës.
Nga kjo, 2 milionë euro janë obligimet që i janë shtuar Komunës së Kaçanikut nga paditë e mësimdhënësve.
Drejtori i Arsimit në Kaçanik, Zahir Doda, ka thënë se Komuna do të detyrohet t’i ndalë investimet kapitale në institucionet edukative për t’i shlyer obligimet ndaj mësimdhënësve.
“Të gjitha projektet kapitale realisht nuk kanë shans të zbatohen, pasi për shembull në Drejtorinë e Arsimit investime kapitale mesatarisht kam pasur vetëm diku 500 mijë euro. Do të thotë, 5 vjet gati të gjitha investimet kapitale për arsim duhet t’i heqim për ta kryer këtë obligim”, ka thënë ai.
Pushteti qendror ka nënshkruar dy Kontrata Kolektive me SBASHK-un. Njëra është nënshkruar në vitin 2017, ndërsa e fundit në vitin 2021.
Kontrata kolektive parasheh edhe disa përfitime financiare të tjera për punonjësit e arsimit, përfshirë pagesën për shujtat ushqimore, shpenzimet e udhëtimit e pagën shtesë pas pensionimit.
Doda ka theksuar se shuma që është duke përfituar një mësimdhënës arrin deri në 8 mijë euro.
“Kemi raste ku një mësimdhënës ka përfituar tetë mijë euro. Përveç mësimdhënësve, nga buxheti jonë janë duke përfituar përmbaruesit e gjykatat të cilat çuditërisht shumë shpejt janë duke i kryer këto lëndë”, ka thënë ai.
E në Komunën e Ferizajt kanë thënë se bazuar në përllogaritjet e bëra, 6 milionë euro të parapara për investime kapitale do të shkojnë për mësimdhënësit pas opinionit të gjykatës.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj, theksoi se kostoja është e papërballueshme për Komunën. Ai shfaqi shpresën se pushteti qendror do t’u dalë komunave në ndihmë.
“Ne do të mundohemi që të gjejmë një zgjidhje. Duhet të jemi në koordinim të plotë edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe në veçanti me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Financave, dhe të shohim çka mund të bëjmë që komunat të dëmtohen sa më pak apo fare të mos dëmtohen”, ka thënë Llabjani, i cili theksoi se deri më tani Ministria e Arsimit nuk ka dhënë sinjale për ndihmë.
Në Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë thënë se, sipas përllogaritjeve, mbi 25 milionë euro është kostoja financiare që do t’iu kushtojë pushteteve lokale pas opinionit juridik të Supremes.
“Dëmi financiar që do të jetë i komunave është mbi 25 milionë euro. Kjo është vetëm për zbatimin e Kontratës Kolektive, por nëse ia shtojmë shpenzimet e gjykatave e shpenzimet e përmbaruesit, kjo do të rritet edhe për miliona të tjerë”, ka thënë drejtori i Asociacionit, Sazan Ibrahimi.
Sipas këtij Asociacioni, kostoja që Kontrata Kolektive u ka shkaktuar para mendimit juridik të Supremes, është rreth 35 milionë euro./koha