Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit Aziz Gashi, i cili po dyshohet për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren.
Përmes një komunikate për medie, Gjykata ka njoftuar se të dyshuarit Gashi i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji dhe atë nga 4 shtatori 2023 deri më 4 tetor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 04.09.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 04.10.2023, ndaj të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat – Vrasja e Rëndë nga neni 173 par.1 (Me dënim jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili) pika 1.5 (privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave tjerë), dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” thuhet në njoftim.
Ndryshe, sot Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Gashi.
Gjatë seancës dëgjimore, prokurorja Ervehe Gashi pas leximit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit tha se qëndron në tërësi pranë së njëjtës. Kurse, i dyshuari Gashi ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.
“Me vjen keq ajo çka ka ndodhur se nuk e kisha bo, po se ajo është gjatë momentit, por është problemi se ata më kanë sulmuar edhe mua edhe kerrin, nuk i kam sulmu unë. Që 10 vjet kam probleme me ta, ma shumë 5-6 vjet…unë jam sulmuar nga tre persona, ma poshtë ata jetojnë. Dashta me thanë se mvjen keq qajo që ka ndodh se nuk e kisha bo, për shembull m’u kanë në gjendje të qetë ose në gjendje të rregullt”, ka thënë i dyshuari Gashi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 5 shtator 2023, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Aziz Gashi.
Në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi, më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H.M (bashkëshortja e viktimës), A.M (vajza tetëvjeçare e viktimës), R.M dhe H.Sh.
Tutje thuhet se, Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, në kërkesë thuhet se të dëmtuarat H. dhe A.M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R.M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes, e i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H.Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan”, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.M, A.M, R.M dhe H.Sh., ua rrezikon jetën.
Për këto veprime, Gashi po dyshohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas arsyetimit të kërkesës së Prokurorisë, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masë së paraburgimit ndaj të pandehurit Gashi.
Në njoftimin e Policisë, thuhej se nga ana e njësiteve policore përgjegjëse janë ndërmarre të gjitha veprimet e duhura procedurale, hetimore e ligjore. Sipas Policisë, kanë vazhduar veprimet operative- hetimore për të lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin e rastit të vrasjes.
“Gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorit dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, është bastisë një lokacion në Malishevë ku është dyshuar se mund të gjendet I dyshuari, në atë lokacion nuk është gjet i dyshuari por është gjet një armë-pushkë automatike që dyshohet se është përdor në rastin e krimit, në lokacionin e njëjtë janë gjet edhe disa sendet personale të dyshuarit”, thuhej në njoftim.
Tutje thuhet se veprimet operative-hetimore kanë vazhduar duke kontrolluar lokacione të ndryshme, kryesisht në rrethinën e Malishevës. Policia njoftoi se në operacion për kërkimin e të dyshuarit përveç Sektorit të Hetimeve të Drejtorisë të Policisë në Prizren kanë asistuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës/Stacioni Policor Malishevë dhe njësi të tjera nga Drejtoria e përgjithshme.
“Me vonë në orët e mbrëmjes nga Hetuesit e Rajonale dhe Njësia e Reagimit të Shpejt të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, në fshatin Tërpezë të Malishevës, është lokalizuar dhe është arrestuar I dyshuari Aziz Gashi, për të cilin me herët nëpërmes mediave është informuar publiku se është në kërkim nga policia”, thuhej në njoftim.
Pas intervistimit, thuhej se i dyshuari me vendim të prokurorit kujdestar u ndalua për 48 orë, ndërsa policia me autorizim të prokurorit të rastit vazhdon mbledhjen e provave dhe dëshmive.
Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë, dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Aty thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte sjellë deri tek rasti tragjik. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.