James Rubini njofton se javën e ardhshme do të dëshmojë në Hagë: Kam shumë për të thënë
Ai do të jetë dëshmitar i mbrojtës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një podcast me gazetaren e njohur, Christiane Amanour, ai tregoi se në dëshminë e tij ka për të thënë shumë.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright-in dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme.”, ka deklaruar ai.
Në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Procesi ndaj tyre pritet të marrë epilog në fillim të vitit të ardhshëm, më shumë se pesë vjet nga fillimi i tij.
James Rubin ishte dora e djathtë e Albright
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, ish-kryezëdhënësi i Departamentit të Shtetit, ishte dora e djathtë e ish-sekretares amerikane, Madeline Albright.
Rubin kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta dhe të afërta me Hashim Thaçin në konferencën e Rambujesë, ngjarje e cila do të shënonte fillimin e fundit të Serbisë në Kosovë.
Ambasadori Christoper Hill në shkrimet e tij, përshkruante një afërsi tejet të madhe mes Rubin dhe Thaçit.

Madje, Hill shkruante se Rubin i tregonte Thaçit edhe cilën kravatë ta vinte.
Kohë më parë, vetë Rubin, në një intervistë për Evropën e Lirë fliste për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për UÇK-në evoluoi. Në ditët e para, para se të dija shumë për të, ne i kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare”, tha Rubin.
Ai tutje tha se UÇK me kalimin e kohës u bë faktor kryesor dhe ishte vendimi i guximshëm i Hashim Thaçit për ta pranuar marrëveshjen e Rambujesë ai që më pas solli procese të tjera të cilat në fund rezultuan që Kosova të jetë kjo që është sot, një vend i lirë, demokratik, me vlera perëndimore.
“Por, me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendra e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi, në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord me Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe, ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim, nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë”, tha Rubin.
“Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe, siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për ta përdorur fuqinë ushtarake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu për shumë e shumë vite”.
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës. Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht, ka gjëra që janë bërë. Por, le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe”.
Veç Rubin, pro Thaçit pritet të dëshmojnë edhe figura të tjera të njohura e diplomatë.