26-11-2024

Jasharaj: Do shkoj në varr si hero i shekullit 21, ku kryeministër ishte Albin Kurti

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë është takuar me Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për situatën në arsim.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për kërcënimet që po merr gjatë kohës kur arsimi ka hyrë në javën e tretë të grevës, ndërsa tha se fjala “vëlla”, me të cilën i ishte drejtuar Kurtit gjatë takimit të tyre të javës së kaluar, është kthyer në shaka në qytet.

“Naiviteti dhe sinqeriteti im po më kushtojnë ndonjëherë me këtë fjalën ‘vëlla’. Më vjen mirë që edhe kur të vdes do të mbesin disa fjalë të mira. Po e shoh që edhe në qytet qytetarët po bëjnë hajgare me fjalën ‘vëlla’, ‘mos më thuaj vëlla’. Ja arritja e kryeministrit Kurti që ta bëjë të vlefshme fjalën ‘vëlla’”, tha Jasharaj në Komision.

Ai tha se të gjitha këto sulme nga Qeveria po e kthejnë atë në hero të kohës.

“Duke më sulmuar po më bëni hero, do të shkoj në varr si hero i shekullit 21 dhe i kohës ku kryeministër ishte Albin Kurti”, shtoi Jasharaj.

Asnjë koment

Comments are closed.