Jasharaj: Mos na shantazhoni e as mos na kërcënoni…mësimi s’do të fillojë!
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se greva do të vazhdojë dhe se nxënësit nuk kanë pse nesër të shkojnë në shkolla. Ai i ka lutur prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë, meqë punëtorët e arsimit kanë vullnet për grevë. Madje, ai ka deklaruar se tendenca dhe deklaratat për t’i frikësuar mësimdhënësit ndikojnë në përkeqësimin e situatës.
Një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, Jasharaj ka thënë se po të kishte angazhim të sinqertë të shtetit nuk do të kishin marrë vendimin për greva.
“Po të kishim mirëkuptim, po të kishim angazhim të sinqerta të shtetit tonë nesër do ta kishim një fillim të vitit shkollor, mirëpo fatkeqësisht pasi i kemi harxhuar të gjitha mundësitë tona, pasi mungon dialogu, greva filloi më 25 dhe vazhdon dhe kjo do të thotë se edhe nesër më 1 shtator punëtorët e arsimit do të jenë në grevë e kjo grevë do të vazhdojë gjersa qeveria nuk fillon bisedën me në dhe nuk fillon realizimin e kërkesave tona…. I lus prindërit e Kosovës që angazhimet e tyre t’i orientojnë nga qeveria që të kemi dialog dhe zgjidhje të kërkesave tona dhe i lus prindërit e Kosovës që për hir të nxënësve të Kosovës, të mos enden rrugëve, të kthehen nga shkolla, të shkojnë në shkollë kot, që fëmijët të rrinë në shtëpi, prindërit te gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bëjnë të pamundurën që të ndikojnë të kemi dialog”, ka deklaruar Jasharaj.
Më tej, ai tha se kjo grevë do të zgjas më pak nëse qeveria fillon realizimin e kërkesave të SBAShK-ut. Sipas tij, deklaratat që synojnë frikësimin e mësimdhënësve ndikojnë në përkeqësimin e situatës.
“Deklaratat dhe tendencat për t’i frikësuar mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë në sektorin publik nuk e qetësojnë situatën, nuk japin asnjë rezultat, por ndikojnë edhe në përkeqësimin e situatës. Edhe ministri Murati edhe zonja Nagavci është dashur të dërgojnë mesazhe paqeje, të japin ndonjë fjalë të mirë, të angazhohen që të kemi dialog sepse me dialog zgjidhim çështjet dhe kemi pritur këtë dialog me muaj të tërë dhe kolegët e mi mësimdhënës dhe punëtorët e tjerë kanë bërë të pamundur që ta shpëtojnë vitin e kaluar shkollor”, ka shtuar Jasharaj.
Ai në konferencë për media tha se janë shterur të gjitha mundësitë që parasheh Ligji për grevat. Në rastet kur do të ketë presion tek grevistët, Jasharaj deklaroi se do të informojnë Policinë e Kosovës.
“Jo për të na ndihmuar nxënësit dhe prindërit, por për hir të sigurisë së nxënësve, nxënësit të mbesin në shtëpi dhe në qoftë se do të kemi informacione nga shkollat dhe institucionet e tjera se dikush do të tentojë të ushtrojë presion ndaj grevistëve, fillimisht do ta informojmë Policinë e Kosovës që ajo të intervenojë sepse grevistët janë në vendet e tyre të punës, në shtëpinë e tyre dhe me ligj janë të mbrojtur dhe do të kërkojnë nga policia që të intervenojë në çdo rast, ndërsa ata që do të vazhdojnë me presion, ashtu siç kemi bërë me ministrin Murati, ashtu do të bëjmë edhe me tjerë, do të përgatisim nga zyrtarë ligjore kallëzime penale dhe do t’i dërgojmë në organe gjegjëse ë drejtësisë”, tha kryetari i SBAShK-ut.
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së shtoi se nxënësit nuk kanë pse të shkojnë në shkollë dhe se greva është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit.
“Le t’i ndalim shantazhet, le t’i ndalin kërcënimet, le të ofrojnë zgjidhje, bashkërisht mund t’ia dalim duke ulur e duke biseduar. Nxënësit nuk kanë çka të vijnë në shkollë ngase mësimdhënësit e tyre janë në grevë të cilën nuk e deshën por nuk patën zgjedhje tjetër. Dhe, po e them në emër të Këshillit Grevist, grevën nuk po e bëjnë individët, greva është vullnet i shprehur nga puëntorët e arsimit që nga çerdhet por e kemi parë edhe ju, edhe punëtorët e tjerë, madje edhe policia ka kërkesa”, tha ai.
Ai tha se Ligji për greva i mbron grevistët dhe se pakënaqësia që po shprehin është e ligjshme.
“Ligji për greva i mbron grevistët dhe kur greva është si e jona e ligjshme dhe i kemi respektuar të gjitha procedurat nuk mund të bëhet as presion, as një ndëshkim, qoftë edhe material që nënkupton prekjen në paga…( 08:21) Janë të çuditshme deklaratat se mësimi do të fillojë. Me kë? Me kë? SBASHK-u nuk janë pesë vetë, SBASHK-u janë arsimtarë të Kosovës dhe kjo u pa edhe me çerdhe. Mësimi do të fillojë në momentin e parë kur qeveria ulet me sindikatat dhe fillon realizimin e kërkesave të tyre dhe prandaj dhe një herë po ju them, apeli im është që nuk është se nxënësit t’i përdorim, apeli ynë është për hir të nxënësve që janë tanët, le të qëndrojnë në shtëpi sepse shkuarja në shkollë mund të përplasen në oborr dhe do të jenë të pambrojtur”, ka përfunduar Jasharaj.
Greva e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka nisur me datën 25 gusht. Gjatë ditës së sotme, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka lutur dhe kërkuar punëtorët e arsimit që të ndërpresin grevën.