Jepet fjala hyrëse në gjykimin për korrupsion lidhur me zonat industriale në Malishevë
Ish-kryetari i komunës së Malishevës Ragip Begaj, si dhe ish-ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani dhe gjashtë të akuzuar tjerë, janë paraqitur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u përballur me akuzën për korrupsion dhe vepra tjera penale, raporton Drejtësia Sot.
Së bashku me Begajn dhe Hasanin në këtë rast po akuzohen edhe Mal Krasniqi, Bashkim Krasniqi, Hajdin Berisha, Faton Thaçi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.
Në seancën e udhëhequr nga trupi gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Vesel Ismajli, është proceduar me konstatimin sit ë lexuar të aktit akuzues nga prokurori Naim Abazi dhe deklarimin e të pandehurve rreth fajësisë.
Pasi u konstatua si e lexuar aktakuza, të gjithë të pandehurit kanë theksuar se ndihen të pafajshëm për akuzat e prokurorisë speciale.
Pas këtij momenti gjykimi vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve ku palët paraqitën qëndrimet e tyre hyrëse lidhur me objektin e akuzës së prokurorisë speciale. Kështu, prokurori special Naim Abazi theksoj se me provat e paraqitur në këtë aktakuzë gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të pandehurëve. Kurse të gjithë mbrojtësit dhe avokatët e tyre e pohuan të kundërtën, duke kundërshtuar në tërësi provat dhe përmbajtjen e kësaj aktakuze.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Rrahmani, avokati Bekim Kryeziu kërkoj nga gjykata që të veçohet procedura ndaj klientit të tij, mirëpo kjo gjë u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se provat janë unike dhe përfshijnë të gjithë të akuzuarit në fjalë.
Vlen të theksohet se gjatë kësaj seanca ishin ftuar edhe dy dëshmitar por që kryetari i trupit gjykues gjyqtari Vesel Ismajli tek ne fund të gjykimit e kuptoi se të njëjtit ishin në sallë duke mos i konstatuar fare në procesverbal.
Pas përfundimit të fjalëve hyrëse të palëve, gjykata vendosi që ta ndërpresë seancën për ta caktuar të radhës më datat 26, 27,28 prill 2022 ora 9 e 30 minuta.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për këtë rast ka gjithsej 5 pika të dispozitivit e që lidhen me veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrimi” dhe “Shpërlarja e parave”.
Pika 1-3 të aktit akuzues ngarkojnë të akuzuarit Ragip Begaj, Bajram Hasani, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi dhe Faton Thaçi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Aktakuza thotë Begaj si kryetar i komunës së Malishevës së bashku me Hasanin si Ministër në MTI dhe Faton Thaçin në cilësinë e zëvendës Ministrit në MTI, në kundërshtim me ligjin kishin filluar procedurat lidhur me krijimin e zonës ekonomike në fshatrat Banjë, Bellanicë dhe Senik të Komunës së Malishevës.
Sipas aktakuzës, në marrjen e veprimeve për krijimin e kësaj zone ekonomike në kundështim me ligjin ishin përfshirë edhe Bashkim Krasniqi në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në komunën e Malishevës, Malë Krasniqi si shef i shërbimit të Gjeodezisë në këtë komunë dhe Hajdin Berisha i cili ishte nënkryetar i komunës.
Në këtë akakuzë është i përfshirë edhe Nazmi Kafexholli, i cili në periudhën e cekur në aktakuzë mbante pozitën e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës në kuadër të Ministrisës së Bujqësisë. Sipas kësaj aktakuze, ai akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe mashtrimit.
Gjithashtu në këtë aktakuzë është i akuzuari edhe Ahmet Rrahmanaj, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të shpërlarjes së parave. / Drejtësia Sot