21-11-2024

Kadri Kryeziu: Demonstratat në 1981 i kemi organizuar ne, studentët, pa ndikime nga jashtë

Bashkorganizatori i Demonstratave të vitit 1981, Kadri Kryeziu, ka thënë sot, në 38 vjetorin e nisjes së tyre, se ato mbeten të paharruara.

Në rrëfimin e tij në Info Magazine të Klan Kosovës, Kryeziu ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë studentë të rinj, me moshë mesatare 21 vjet.

“Organizimi ka qenë jashtë strukturave të lëvizjeve, kemi qenë grup i studentëve. Jemi organizuar për t’i treguar botës se Jugosllavia është shtet shovinist. Demonstratat e ‘81-ës i kanë organizuar studentët e Universitetit të Prishtinës, pa ndikime nga jashtë. Kemi qenë të frymëzuar nga leximi i literaturës shqiptare”.

“Askush nuk na ka thënë të bëjmë demonstrata. Kemi pasë një drejtim – ‘Rroftë Shqipëria’, drejtimi bazik ka qenë kombi, liria, pavarësia. Kemi qenë të frymëzuar nga literatura dhe gjithë ato që kanë qenë shqiptare”.

“Në vitin 1980, ish Presidenti i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ka qenë për herë të fundit në Kosovë. Grupi ynë ka kërkuar që të mos pritet. Ne jemi ata. Nuk jemi organizuar në mënyrë spontante, por në mënyrë të vetëdijshme. Nuk kemi menduar se pas tyre mund të ketë gjenocid”.

Në fund të intervistës së tij, Kryeziu ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qëndruar më mirë.

“’Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!’ – jemi kontribuues në veprimtarinë politike”.

“Jemi mirë sa i përket zhvillimit ekonomik, rrugës së integrimeve, kemi policinë, ushtrinë, universitetet. Rinia tash duhet ta vazhdojë zhvillimin e ekonomik dhe integrimin europian”.

Asnjë koment

Comments are closed.