29-11-2024

Kadri Kryeziu: Takimi i mbrëmshëm ngriti ndërkombëtarisht statusin e Kosovës, Asociacioni do të zbatohet

Plani franko-gjerman mbrëmë është pranuar edhe zyrtarisht në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe.

Ky plan titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbi”, i cili synim kryesor ka arritjen e një marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazë të drejtave të barabarta.

Me pranimin e këtij plani, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, tani profesor universitar Kadri Kryeziu thotë për Front Online se statusi i Kosovës është ngritur ndërkombëtarisht.

“Unë mendoj që statusi i Kosovës në radhë të parë me faktorin ndërkombëtar është ngritur në nivelin pozitiv dhe në nivelin e mirëqenies së Kosovës për shkak se një prej neneve aty parasheh që Serbia mos të pengojë anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, respektivisht në NATO. Gjitha këto do të thotë janë zotime e cila do të shihet më vonë në aspektin edhe operacional qysh e quajmë ne aneks kur do të rregullohen edhe dinamika e zbatimit të këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Kryeziu, për Front Online.

Por, nënshkrimi i saj në Bruksel nuk ka ndodhur,

E pavarësisht kësaj Kryeziu deklaron se kjo është marrëveshje e avancuar për Kosovën.

“Kjo marrëveshje sipas mendimit tim është një marrëveshje e avancuar për Kosovën. Kjo marrëveshje i parasheh mes të tjerave zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake të cilat janë nënshkruar nga kryeministrat e Kosovës”, ka shtuar ai.

I pyetur se çka do të ndodhë në rast se Serbia, përsëri do të vazhdojë me avazin e vjetër pavarësisht pranimit të këtij plani, Kryeziu ka dhënë një përgjigje.

“Unë tash e shikoj që ka garancione amerikane të fuqishme, po ashtu edhe të Bashkësisë Evropiane për zbatueshmëri dhe kjo do të bëhet prej një Komiteti  i cili do të bëjë implementimin e të gjitha marrëveshjeve të parapara me këtë plan franko-gjerman”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu.

Kurse, sa i përket çështjes së Asociacionit thotë se ka hyrë në sistemin e brendshëm ligjor të Kosovës dhe Qeveria e ka për detyrë.

“Asociacioni është kategori tjetër, është do të thotë një vendim të cilin e ka marrë Parlamenti. Marrëveshja për Asociacion ka hyrë në sistemin e brendshëm ligjor të Kosovës dhe Qeveria e ka për detyrë që të gjitha ligjet që kalojnë në parlament me i zbatu edhe Asociacioni do të zbatohet ku autorësinë e ka kryeministri që do ta nënshkruaj një projekt-statut i cili do të kalojë përsëri në Gjykatën Kushtetuese dhe aty do ta merr vendimin final”, është shprehur Kryeziu.

Takimi i djeshëm në Bruksel, ka zgjatur për disa orë ku së pari ka pasur takime të ndara, e më pas takim të përbashkët.

Ndërsa, në orët e vona është publikuar edhe plani i cili përfshin 11 nene.

Asnjë koment

Comments are closed.