21-11-2024

Kadri Veseli në Hagë: Jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.

Ai këtë deklaratë e ka bërë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, të martën, ku ka nisur paraqitja e parë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem, me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, është deklaruar Veseli.

Në fillim të seancës, Veseli konfirmoi se e ka pranuar aktakuzën e ngritur ndaj tij, në gjuhën që ai e kupton.

Pas kësaj, pasi sekretarja e gjykatës lexoi akuzat më të cilat ngarkohet Veseli, ky i fundit deklaroi se i dëgjoi të njëjtat.

Në këto rrethana, gjykatësi Nicolas Guillou e njoftoi ish-kreun e PDK-së me të drejtat e tij, për të cilat Veseli tha se i ka kuptuar të gjitha.

Veseli u arrestua në Kosovë me 5 nëntor dhe të njëjtën ditë u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj tij, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit u publikua me 5 nëntor.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.