26-11-2024

Kadri Veseli: “Syri i Popullit” është krahu i armatosur i Vetëvendosjes

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin e rastit “Syri i Popullit”, ka deklaruar se të akuzuarit janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes.

Në seancën e së premtes ku ai është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, Veseli për të akuzuarin Murat Jashari, ka thënë se duhet t’i vijë turp për veprimet e tij.

“Marre të koftë, je shku me rumune për me vra bashkëluftëtarin e vëllait”, ka thënë Veseli.

Për organizatën “Syri i Popullit”, ai ka thënë se kishte dëgjuar pas tentativës në rastin e Azem Vllasit.

“Në fakt në pozicionin e zyrtarit publik si kryetar i kuvendit dua të them diçka se me vonë është kuptuar që është ‘Syri i Popullit’, disa ditë para se të ndondhte një gjë e tillë kemi qenë të paralajmëruar nga institucionet përgjegjëse, se mund të ketë kanosje në rrezikim të jetës tonë. Unë si kryetar, unë me than të drejtën se kam marrë seriozisht, këtë informatë e kam marrë nga AKI”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se e njeh vetëm si emër Sadri Ramabajën, ndërsa jo edhe personalisht, derisa ka thënë se nuk e njeh fare Rexhep Topllanën.

“Unë jam qytetar i lirë, nuk ka të bëjë e kaluara ime si pjesëtar i UÇK-së, askush nuk ka të drejtë në Kosovë ta cilësojë askë për të kaluarën, do kanë luftu me pushkë, e do kanë sjellë ujë. Unë jau di për nder, por ky cilësim nga ‘Syri i Popullit’, është plehu i kombit e të gjithë ata që i takojnë Syrit të Popullit janë plehu i kombit dhe i takojnë Serbisë. Ata nuk kanë pas guxim edhe i sfidoj se këta s’kanë burrni e as ftyrë e as moral, dhunues janë, për një gjë jam krenar qysh kanë menu këta që mujn me na kap të gjallë, s’ka pas mujt as Serbia me na kap të gjallë”, ka thënë Veseli.

Ai ka vazhduar dëshminë e tij, duke thënë se të akuzuarit janë dhunues.

“Me pas burrni kta kishin dal, s’ka burrni e patriot që dhunon mashkull, s’ka patriot që dhunon mashkull, t’burgosur politik jemi para sfidës së Gjykatës Speciale i kemi dal përball e jo mas shpine ja kemi kput rrajt Serbisë. Dje në mes ditës në liri kriminelët dalin e vrajnë policin e rrezikojnë fmi duke harru çka i ka ndodh këtij po populli para 20 viteve. Nëse shteti nuk vepron kriminel të tillë do ta marrin në dorë për të keq këtë vend, tash duhet me dal ni ushtri tjetër për me i luftu, s’duhet me u tut prej maskarenjve të poshtër”, ka thënë tutje Veseli.

“As Beogradi i poshtër nuk ka fyer çka kanë fyer këta që janë edhe dhunues. Me na vra mujn, por kta duhet me ditë që kanë me hjek”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit, ka thënë se nuk e ndien veten të dëmtuar.

“Unë se nij veten të dëmtuar s’nij që janë gjallë kta pisa. Unë jom qytetar i një vendi të lirë, s’nij te gjallë për ta. Unë jam fy në Kuvend, por mbaj respekt aty ku ka respekt, sy për sy, dhëmb për dhëmb”, ka vazhduar tutje dëshminë e tij, kreu i PDK-së.

Ai ka thënë se drejtësua duhet të jetë e paanshme, duke shtuar se duhet të përqohet mesazhi se askush nuk është mbi ligjin.

“Dje ka ndodh një rast shume i rënd kur një polic e hupi jetën për qytetarë, imagjinoni situata te tilla kur njerëz te degraduar mendojnë në një dite se ata kane te drejte të përcaktojnë fatin e çdo kujt duke u thirr në ideale kombëtare”, ka deklaruar Veseli.

Ndryshe, ky rast po zhvillohet ndaj dhjetë të akuzuarve për  përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar I cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privoi nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në Motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.