“Kam me iu djegë e me iu vra” – Kërcënimet e ministrit Damka ndaj kandidatëve të partisë turke
Ministri në largim i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe nipi i tij, Fuat Damka, kanë përfunduar të dielën në prangat e Policisë së Kosovës, si të dyshuar për kanosje dhe sulm. Sinjali raportoi ekskluzivisht se Damka, i cili është kryetar i partisë turke KDTP dhe i dyshuari tjetër u ndaluan për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Si ndodhi rasti?
Rasti dyshohet se ka ndodhur në orët e pasdites të së dielës, në afërsi të shkollës fillore “Motrat Qiriazi”, që po ashtu ka qenë qendër votimi.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali, Damka fillimisht ka pasur një konflikt me viktimat, që kanë qenë kandidatë të një partie tjetër, të cilët u sulmuan dhe u kërcënuar.
Sinjali ka mësuar se ndër të tjera, ministri Damka dyshohet se u është drejtuar me fjalët “Kam me ju djegë e më ju vra, çka po kërkoni këtu” dhe njërin prej tyre e ka kapur për krahu.
Edhe nipi i tij dyshohet se i ka kanosur viktimat, e po ashtu në rast është përfshirë edhe një anëtar tjetër i familjes Damka.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj Fikrim dhe Fuat Damkës, prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.