Policia kap në Shqipëri dy vetura të vjedhura në Kosovë, përdoreshin për qëllime kriminale
Policia në Shqipëri ka njoftuar se ka sekuestruar dy automjete të vjedhura në Kosovë, që dyshohet se do përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.
Me ç’rast është arrestuar 34-vjeçarja që dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 2 automjetet me targa kosovare.
Njoftimi nga PSH:
Sekuestrohen 2 automjete të vjedhura në Kosovë, që dyshohet se do përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.
Vihet në pranga 34-vjeçarja që dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 2 automjetet me targa kosovare.
Procedohet penalisht administratori i servisit në Rubik, ku u gjetën këto 2 automjete.
Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve dhe hetimeve që po kryhen me intensitet, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë goditur një rast të trafikimit të automjeteve të vjedhura, për t’i përdorur për qëllime kriminale.
Për rastin u vu në pranga shtetasja A. P., 34 vjeçe, banuese në Rubik, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, ka trafikuar nga Kosova në Shqipëri, 2 automjete, tip “BMW” dhe “Volkswagen”, me targa kosovare, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, për shtetasin D. P., banues në Rubik, pasi dyshohet se ka fshehur në servisin e tij, në Rubik, 2 automjetet e trafikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.