Kapen duke garuar me vetura në mes të natës, shoferët gjobiten me nga 500 euro
Policia në Ferizaj, rreth orës 01:50, ka ndaluar dy shoferë, të cilët po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
Shoferi me inicialet B.B. (31 vjeç), që drejtonte veturën Audi, dhe E.K. (20 vjeç), që drejtonte veturën Mercedes me targa vendore, janë kapur duke qarkulluar me shpejtësi prej 113 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 40 km/h.
Bëhet e ditur se ndaj tyre janë shqiptuar gjobë prej 500 euro, ndalim i të drejtës për të drejtuar automjet në territorin e Republikës së Kosovës për 12 muaj, ndërsa shoferit vendor i janë shqiptuar edhe 5 pikë negative. Shoferi tjetër kishte patentë-shofer të huaj. Të dy janë përjashtuar nga trafiku.

Matja e shpejtësisë është kryer me radar lazerik.
Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve që të shmangin garat e shpejtësisë, pasi ato përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.