Kapet 25-vjeçari me dr*og’ë në Tropojë, dyshohet për trafikim drejt Kosovës
Është finalizuar operacioni policor i koduar “Dragobia” në Tropojë, i cili kishte për qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., 25 vjeç, në fshatin Dragobi, Policia gjeti dhe sekuestroi 655 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të cilën ky shtetas dyshohet se do ta trafikonte në Kosovë.

Shtetasi S. M. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. M., 45 vjeçe, nëna e 25-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se tentoi të fshehë lëndën narkotike gjatë kontrollit në banesë.

Sekuestrohet lënda narkotike, ndërsa hetimet vazhdojnë për dokumentimin e veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.

