Kapet me dro;gë në Gjakovë – e gëlltiti në tentativë për ta fshehur
Një person është ndaluar në Gjakovë në orët e mbrëmjes të së martës, 13 maj 2025, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, rreth orës 22:30, në rrugën “Domenik Përgegaj”, Policia ka ndaluar për verifikim një veturë të tipit Hyundai, e cila drejtohej nga L. E, 27-vjeçar.
Gjatë kontrollit, policët kanë vërejtur se i dyshuari kishte përtypur diçka të dyshimtë, dhe pas pyetjes së drejtpërdrejtë, ai ka pranuar se kishte përtypur marihuanë, në përpjekje për ta fshehur.
Pas kësaj, Elezi është shoqëruar në Stacionin Policor, ku është kontaktuar Prokurori Kujdestar nga PTH-Gjakovë, i cili ka lëshuar urdhër për bastisje të banesës së të dyshuarit në rrugën “Ganimete Terbeshi”.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar: 3 cigare (jointa) të mbushura me substancë të dyshuar për marihuanë, me peshë 2.52 gramë, 2 qese najloni me substancë të dyshuar për kokainë, me peshë rreth 2 gramë.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.