Kapet me tre armë dhe dhjetëra fishekë në Prizren – 28-vjeçari përfundon në ndalim 48 orësh
Një arsenal armësh është zbuluar nga Policia e Kosovës në Prizren, pas një kontrolli rutinë që rezultoi me arrestimin e një 28-vjeçari, i cili mbante armë pa leje.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:30, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku njësia patrulluese ndaloi për kontroll një veturë të tipit Golf, ngjyrë hiri, që drejtohej nga E. Krasniqi, rreth 28-vjeçar.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një armë të tipit “Beretta APX”, kalibër 9 mm, me 14 fishekë, pas së cilës i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor Prizren për procedura të mëtejshme.
Pas konsultimit të Prokurorit të Shtetit, është urdhëruar kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, ku janë zbuluar edhe dy armë të tjera: Një revolver “Taurus 856”, kalibër .38 SPL, me 6 fishekë, prodhim brazilian, një pushkë gjysmëautomatike “Hatsan Arms Escort”, kalibër 12GA, me 5 fishekë, prodhim turk.
Rasti është inicuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe është dërguar për hetime të mëtejshme në bashkëpunim me njësinë e krim-teknikës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.