Mësimdhënësit prizrenas përmes gjykatës kanë nisur realizimin e të drejtës për kompensimin e shujtës, të paraparë me Kontratën Kolektive në Kosovë, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.
Mjetet do të kompensohet nga buxheti i Komunës së Prizrenit përmes përmbaruesve.
Disa nga shkollat, si ajo “Lekë Dukagjini”, “Mustafa Bakiu”, gjimnazi “Gjon Buzuku” e të tjera, tashmë përmes Sindikatave i janë drejtuar avokatëve, ndërsa në disa raste burimet konfirmojnë se procedurat kanë përfunduar dhe pritet kompensimi i mjeteve nga ana e Komunës.
“Punëtorët e arsimit do të kompensohen në shumën e përgjithshme prej 624 euro, ndërsa kjo bëhet për 312 ditë pune të llogaritura”, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” një burim zyrtar me kusht anonimiteti.
Kompensimi llogaritet nga 18 prilli i vitit 2017, kur ka hyrë në fuqi Kontrata Kolektive e deri në dhjetor të vitit 2018.
Pos shujtës në vlerë prej 2 euro për një ditë pune, mësimdhënësit përmes gjykatës vazhdojnë ta kërkojnë edhe realizmin e të drejtës për pagesën e pagave jubilare.
Sipas sindikalistëve një pjesë e punëtorëve të arsimit tashmë përmes organeve të drejtësisë e ka realizuar të drejtën e tyre. / GazetaePrizrenit.net /