Katër policë të lën*duar gjatë arrestimit të një personi në komunën e Suharekës
Katër zyrtarë policorë janë lënduar gjatë arrestimit të një personi të dyshuar në fshatin Samadraxhë të Suharekës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 08:30, pasi një qytetar kishte raportuar se një 45-vjeçar me inicialet B.K., nga fshati Samadraxhë, kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, duke penguar qarkullimin e lirë të banorëve.
Pas pranimit të ankesës, patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë me një armë të ftohtë – thikë.

Policia ka reaguar menjëherë duke neutralizuar sulmin dhe duke arrestuar të dyshuarin. Gjatë procesit të arrestimit, për shkak të kundërshtimit të dhunshëm nga ana e tij, katër policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga mjeti i mprehtë.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Suharekë, ndërsa rasti është duke u trajtuar në konsultim me Prokurorin e Shtetit, i cili do të vendosë për veprimet e mëtejshme procedurale sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.


