“Kauboji” nga Kosova arrestohet në pikëkalimin e Morinës (Video)
Një 45-vjeçar nga Kosova është vënë në pranga pasi ka tentuar të hyjë në territorin e Shqipërisë me një armë zjarri pistoletë.
Policia bën të ditur se në pranga është vënë shtetasi F. D., 45 vjeç, banues në Fushë Kosovë.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, bazuar në inteligjencën informative dhe në analizën e riskut, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kanë goditur një rast të tentativës për të hyrë në Shqipëri, me armë zjarri.
Si rezultat, gjatë kontrollit me metoda bashkëkohore, të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin që drejtonte shtetasi F. D., shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin që drejtonte ky shtetas.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin F. D., 45 vjeç, banues në Fushë Kosovë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njofton policia.