KBF Bashkimit do t’i prijë një trajner turk
Ahmet Furkan Saglik është trajneri që do ta drejtoj ekipin e femrave të Bashkimit deri në fund të këtij edicioni.
Klubi nga Prizreni të mërkurën ka zyrtarizuar marrëveshjen me trajnerin nga Turqia, i cili të të premten do të nis punën e tij, transmeton Koha Ditore.
Saglik do të debutoj si trajner i Bashkimit në ndeshjen e këtij vikendi kundër Penzës që luhet në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit. Ai në këtë post, do ta zëvendësoj Edin Kërveshin, i cili të martën dha dorëheqje. Saglik vlerësohet si trajner i nivelit të lartë, pasi ka punuar në elitën e basketbollit të Turqisë tek femrat.
Ai së fundi ka qenë trajner te skuadra OGM Orman Spor, të cilën e ka drejtuar përgjatë edicioneve 2015/16 dhe 2016/17. Saglik ka punuar me lojtare të njohura të basketbollit si Ana Daboviq, Brittney Sykes, Jasmine Thomas, Kara Braxton, Petra Kulichova e të tjera.
Bashkimi është kampion në fuqi në Ligën e Femrave dhe aktualisht është lider në tabelë me 13 fitore e një humbje.