KEDS: Ka përmirësim të situatës, reduktimet tani janë më të vogla
KEDS ka mbajtur sot konferencë për media, ku zëdhënësi i saj, Viktor Buzhala ka thënë se ka përmirësim të gjendjes së furnizimit me energji elektrik.
Ai deklaroi se përmirësimi ka ardhur pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe kërkesa për energji elektrike kanë rënë.
“Po flasim për një përmirësim të gjendjes, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë, ka rënë edhe kërkesa pasi sot temperaturat janë 7-8 gradë plus ndërsa para dy-tri ditësh kanë qenë 7-8 gradë minus. Këtu ka rënie të konsumit dhe është përmirësuar gjendja”, ka thënë ai.
Buzhala tha se tani edhe reduktimet janë më të vogla krahasuar me ditët e kaluara.
“Nëse ka pasur reduktime nga dy orë, tashmë reduktimet janë shumë të vogla”, tha ai.
Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike. Sinjali ka siguruar një dokument ku thuhet se të martën ky vendim do të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.