I dyshuari nga Kabashi i Hasit që kërcënoi me jetë vëllain, shkakton probleme edhe në gjykatë
Vendimi i Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit e ka mllefosur të dyshuarin nga Prizreni S.K., i cili para pak ditësh përfundoi në pranga të Policisë për kanosjen e vëllait të tij. Pas seancës që u mbajt sot në Gjykatën Themelore në Prizren, Sinjali mëson se i dyshuari shkaktoi probleme.
Burimet nga atje thonë se i dyshuari e ka goditur derën me këmbë, në shenjë revolte për masën e sigurisë që ia caktoi Gjykata.
Për pasojë, Policia njoftoi Emergjencën, teksa i dyshuari u dërgua për kontroll mjekësor.
Por për çka u arrestua S.K., dhe cilat janë detajet e rastit?
Sinjali ka raportuar se më 30 shtator, i njëjti ka pasur një konflikt me vëllain e tij, në shtëpinë e tyre në fshatin Kabash të Hasit në Prizren.
Ai u arrestua nën dyshimet se e ka kërcënuar me jetë vëllain e tij më të ri në moshë, për motive ende të panjohura.
Madje ai dyshohet se ka kryer edhe veprime vandale ndaj tij, duke i dëmtuar veturën personale.
Kjo ka bërë që 31-vjeçari ta njoftojë Policinë, me ç’rast pas denoncimit pasii arrestimi i vëllait të tij.
I njëjti është mbajtur nën masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë nga Prokuroria.
Ndërsa sot është marrë vendimi për caktimin e paraburgimit, për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.