23-11-2024

Kërkesa e Veselit për uljen e rrogës zvogëlon edhe rrogën e Haradinajt

Kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka kërkuar zyrtarisht që t’i zvogëlohet rroga.

Ai i ka dërguar një letër Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media përmes së cilës i kërkon që në kuadër të shqyrtimit të Ligjit për Paga, koeficienti i pagës së kryetarit të Kuvendit të zbresë në 9.

Koeficienti i pagës së kreut të Kuvendit me propozim të Ministrisë së Administratës Publike është aktualisht 11.

Por kjo kërkesë e kryeparlamentarit Kadri Veseli prek edhe rrogën e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Nga 2,900 euro sa është paga bazë e kryeministrit, pas kësaj kërkese, do të zvogëlohet në 2,100 euro. Kjo është e rregulluar me Ligjin për Paga që Kryeministri të mos e ketë rrogën me të lartë se sa Kryekuvendari.

Zvogëlimi i pagës së kryetarit të Kuvendit nënkupton edhe zvogëlimin e pagës së deputetëve pasi çdo zvogëlim i koeficientit ka efekt zingjiror.

Ulja e pagave të zyrtarëve të lartë publik do të konfirmohet në seancën 31 janarit kur pritet të votohet Projektligji për Pagat si dhe buxheti për vitin 2019./indeksonline

Asnjë koment

Comments are closed.